Policia Rrugore e Elbasanit ka gjobitur me vlerën 10 mijë lekë të rinj shoferin me iniciale B. S, i cili ka kryer parakalim të gabuar në unazën e qytetit dhe në kushtet e fushëpamjes së kufizuar.
“Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një automjet duke kryer parakalim të gabuar në afërsi të kryqëzimit dhe në kushtet e fushëpamjes së kufizuar, në unazën e qytetit Elbasan, ju informojmë se:
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin B. S., dhe i kanë vendosur atij, masën administrative 10 000 lekë të rinj, bazuar në nenin 146, pika 16, të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit”, njofton policia./vizionplus.tv