Në raportimin e kreut të ILD-së, Artur Metani tha se gjatë vitit 2023 institucioni që ai drejton ka trajtuar rreth 6500 ankesa për organet e drejtësisë, të reja dhe të prapambetura. Ankesa janë trajtuar edhe për organet e posaçme të drejtësisë, si SPAK, GJKKO dhe shkalla e dytë e kësaj gjykate.
SPAK: 81 ANKESA, 54 JANË TRAJTUAR, 27 NË PROCES
GJKKO: 41 ANKESA, JANË TRAJTUAR 27
APELI GJKKO: 40 ANKESA 35 TRAJTUAR
GJYKATA E LARTË: 96 ANKESA, 66 TRAJTUATR
KLGJ: 18 ANKESA, 13 TRAJTUAR
KLP: 8 ANKESA, 3 TRAJTUAR
Mbledhja e komisionit u shoqërua edhe me debate. Deputeti socialist Plarent Ndreca e sheh problematik raportimin e kreut të ILD-së.
“E mirëkuptoj edhe vështirësitë që keni në këtë aspekt, e marr SPAK si etalon, sepse ka edhe ai probleme me burimet njerëzore, por produkti është ai që është, ILD, që garanton të gjithë sistemin e drejtësisë, ne nuk kemi asnjë informacion të saktë se ku jemi dhe çfarë ndodh me problematikat e drejtësisë”, tha Ndreca.
“Këtë shqetësim e kemi përditë në ILD, kishte disa pasaktësi, unë nuk jam SPAK dhe s’do bëhem asnjëherë, ILD përformon me standarde nga këshillat dhe KPA, kontrolli i jashtëm është për gjëra që ligji dhe Kushtetuta i ka parashikuar, ne s’na impresionon që janë çuar më shumë apo më pak hetime, ne shohim standardin”, tha Metani.
Metani tha se ankesat më të shumta janë për Gjykatën e Tiranës dhe atë Administrative për shkak të vonesave në zbardhjet e vendimeve gjyqësore./vizionplus.tv