Ministri i Brendshëm Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit Ervin Muça ishin thirrur për ditën e sotme, që të dëshmonin në Komisionin Hetimor për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.
Ministri i Brendshëm i është drejtuar me një shkresë këtij komisioni, ku argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli.
Balla vlerëson gjithashtu që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Në kërkesën e tij ai sjell në vëmendje gjithashtu, se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.
Bazuar në Ligjin nr.106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, anëtarët e mazhorancës do të kërkojnë hedhjen në votim të këtij propozimi dhe pas vendimarrjes do të vijohet me seancën e dëshmisë së Ministrit të Brendshëm, kreut të Policisë së Shteti dhe ish-drejtorit të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit./vizionplus.tv