Krimi kibernetik mbetet një fenomen mjaft shqetësues në vend, ku përmes një deklarate për mediat drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj, bëri me dije se janë bërë disa arrestime në kuadër të goditjes së këtij fenomeni.

Bëhet fjalë për disa të arrestuar, të cilët përmes publikimit të fotove të ndryshme të vajzave të mitura dhe jo vetëm, përfitonin para prej tyre.

Shumat e përfituara varionin nga 1500 deri në 3 mijë euro, pasi kërcënonin vazhdimisht viktimat e këtij fenomeni përmes fotove apo të dhënave personale që kishin siguruar.

Të arrestuarit operonin me nofka të ndryshme në rrjete sociale, ndërsa policia ka mundur t’i identifikojë.

Të arrestuar janë:

Endri Xhaferi 22 vjeç, i njohur me nofkën “Amsterdami” në rrjete sociale.

Genti Gyla, 45 vjeç, përndiqte online një shtetase 23-vjeçare duke i sjellë shqetësime asaj dhe familjes së saj.

Po ashtu, eshtë arrestuar Hajrullah Kamani, 21-vjeç i cili ka përndjekur një vajzë 13-vjeçe. Kjo e fundit si pasojë e presionit psikologjik është larguar nga banesa.

Në përfundim, Policia e Shtetit bëri apel ndaj çdo qytetari, veçanërisht vajzave dhe grave, që të mos ndajnë të dhëna personale me të panjohur, si dhe të denoncojnë çdo rast shantazhimi ndaj tyre./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version