Pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, qeveria do të marrë masa për të garantuar sigurinë në shkolla, duke instaluar kamera digjitale dhe duke përdorur një sistem të inteligjencës artificiale. I njëjti sistem do të jetë aktiv edhe në rrugë.
“Falë një sistemi të kamerave digjitale, bashkuar me një sistem të inteligjcencës artificiale do të monitorojmë në kohë reale gjithçka ndodh në rrugët e vendit dhe deri në qelizën bazë të të nesërmes, që janë shkollat. Mbi këtë bazë, do të ketë një raport krejtësisht ndryshe mes qytetarit dhe ligjit, ndërkohë që policia do të bëhet më në fund e padukshme në rrugët e vendit, si rezultat i teknologjisë. Nga ana tjetër, do të ketë një raport ndryshe mes nxënësit, mësuesit, prindit sepse gjithçka do të jetë në kushte shumë të përparuara sigurie”, bëri me dije kreu i qeverisë, Edi Rama.
Me inteligjencë artificiale do të gjurmohen edhe lëvizjet e parasë brenda vendit dhe transaksionet që bizneset kryejnë. Kjo sipas, kryemimistrit Edi Rama, do të bëhet për të rritur transparencën dhe për të eliminuar inspektimet fizike.
“Ne mirëpresim çdo goditje dhe leksion për pastrimin e parave sepse duam të bëhemi shumë më mirë. Po punojmë që të integrojmë në sistemin e monitorimit të lëvizjes së parasë një model që do të çojë në një nivel tjetër të gjithë procesin e transparencës, falë teknologjisë artificiale. Gjurmimi i transkasioneve me inteligjcën articficiale do të bëjë të mundur një përshkallëzim shumë të rëndësishëm të luftës ndaj informalitetit dhe që mbi bazë risku, kompanitë të mund të monitorohen pa u shqetësuar më nga shumë inspektime fizike”, tha kryeministri Rama.
Në javët e ardhshme, Edi Rama deklaroi se Shqipëria do të firmosë një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara që do të transformojë shtypshkronjën e letrave me vlerë. Ambicia e Shqipërisë, shtoi Rama gjatë një konference për teknologjinë, është që në vend të prodhohen paratë dhe letrat me vlerë./vizionplus.tv