Ditën e sotme, marrëveshja me Italinë për emigrantët, e cila mori dritën jeshile nga Gjykata Kushtetuese më 19 shkurt, dhe Amnistia penale do të shkojnë në Kuvend për tu votuar. Teksa kjo e fundit kërkon 84 vota, nuk dihet nëse palët do të arrijnë një konsensus. Ditën e djeshme Lulim Basha në një deklaratë për mediet tha se PD nuk do të shkojë në seancën e sotme plenare dhe as nuk do ta votojnë ligjin për Amnistinë.
“PD nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare, është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti kriminal e korruptiv që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar. Kjo është përpjekja më skandaloze në 33 vite për të nxjerrë nga përgjegjësia penale zyrtarët e korruptuar”, tha Basha ditën e djeshme.
As Rithemelimi nuk do të votojë pro, ndërsa do të vijojnë me skenarin për bllokimin e seancës.
Një amendament i deputetit socialist, Plarent Ndreca, relator i projektligjit, bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar.
Por, PS thotë se bëhet fjalë për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO, që më parë përjashtohen nga përfituesit. Gjithsesi, ministri Manja nuk e mbylli derën e diskutimeve, duke thënë se janë të hapur që të gjejnë një konsensus.
Ndërkohë, edhe një propozim i PD i ka ndarë palët. Enkelejd Alibeaj ka propozuar faljen e protestuesve të opozitës nga data 1 tetor 2018 deri më 31 dhjetor 2020. Socialistët pranuan pjesërisht propozimet e Alibeajt për të amnistuar protestuesit por jo ata që kanë akuzën e shkatërrimit të pronës dhe kundërshtimit të policisë së shtetit.
Me shumë gjasa, amnistia penale nuk do të miratohet as sot, duke bërë që të shtyhet për një seancë tjetër, deri në gjetjen e një konsensusi të përbashkët mes palëve./vizionplus.tv