Pasi Prokuroria e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest në shtëpi për drejtorin e IT- së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, ky i fundit u pezullua nga detyra edhe nga institucioni që ai drejtonte. Sipas prokurorisë, në orët e vona të natës së 2 gushtit të vitit të kaluar, Muça ka ndërhyrë në sistemin TIMS duke përdorur kredencialet e një punonjësi për të transferuar të dhënat e këtij sistemi në mënyrë të paautorizuar.
Për këtë skandal, është ngritur një komision hetimor parlamentar, ndërsa kjo po hetohet edhe nga Prokuroria.
Avokati Ledio Braho, duke folur nga ana juridike në Quo Vadis në Vizion Plus me Pranvera Borakajn, ka thënë se nuk ka asnjë përplasje mes hetimeve që do kryej Parlamenti dhe atyre që do kryej drejtësia. Ai shtoi se për këtë çështje ka një vendim nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015.
“Gjykata Kushtetuese në 2015 është shprehur nëse mund të ketë hetime paralele, dhe GJK ka thënë se nuk ka pëqrplasjë të hetimeve që ka komisioni hetimor dhe atë që heton prokuroria.
Nëse i referohemi pjesës se back up që ka bërë një punonjës i policisë, pyetjet që lindin janë a mund të kopjohen të dhënat dhe a mund të jetë një njeri që të ketë akses?
Për mua, komisioni parlamentar këtë duhet të bëjë. Komisioni do hetojë procedurën si është cënuar sistemi TIMS. Detyra e parlamentit është që të referojë në prokurori shkeljet. Është e lejueshme dhe nuk bie ndesh. Edhe në rastin e inceneratorëve, ishte një hetim nga SPAK dhe rezultoi me sukses.
Pavarësisht se ka një hetim penal, nuk e ndalon komisionin parlamentar të bëjë punën e tij”, tha Braho./vizionplus.tv