Rritja e çmimeve dhe mos indeksimi i pagave i ka zhytur familjet shqiptare prej disa vitesh në varfëri.
Në Tiranë dhe në rrethe, sot ka ende familje që marrin ushqime me listë, në pamundësi për të mbuluar të gjitha shpenzimet jetike mujore.
Eduart Gjokutaj në një intervistë për emisionin “7pa5” në Vizion Plus u shpreh se kriza ka nisur që në vitin 2021, që u ndikua nga pandemia.
Ai shton se rritje të madhe të çmimit kanë pasur frutat dhe perimet, që janë jetike për çdo familje shqiptare.
“Situata që nga viti 2021, edhe me ndikimin e pandemisë, pësoi rrudhje të të ardhurave.
Në vitin 2022 e në vazhdim jemi në kushtet e rritjes së çmimeve dhe i ka ekspozuar më shumë këto familje, duke nisur që nga familjet me të ardhura të ulta apo pensionistët, të cilët 50-60% të konumit të tyre mujor e kanë ushqime.
Në këtë aspekt, nga të dhënat statistikore ushqimet janë rritur muaj pas muaji 30%, ku veçohen frutat dhe perimet me 55%. Të gjitha kategoritë që janë me të ardhura të ulta janë me humbje, në aspektin e asaj se çfarë shpenzojmë”, tha Gjokutaj.
Romina Radonshiqi theksoi se ushqimet me listë nuk i marrin vetëm pensionistët, por edhe çiftet e reja. Këta të fundit sipas saj, nuk kanë mundësi të plotësojnë kushtet për fëmijët ku marrin borxh pampersa, qumësht, çokollata por edhe ilaçe për të vegjlit e tyre.
“Kemi një rritje të lartë të çmimeve por nuk kemi indeksim të pagave. Edhe pse është folur për administratën se do të kishte indeksim, por jo të gjithë e kanë përfituar.
Është për të ardhur keq, që edhe në kryeqytet ku paga është më e lartë, kemi dyqane që kanë fletore dhe marrin ushqime me listë.
Jo vetëm pensionistët, por edhe çiftet e reja merrnin me listë për mirëmbajtjen e fëmijës, siç janë pampers, qumësht. Kjo gjë ndodh në dyqanet në qendër, sipas një vëzhgimi që unë bëra. Madje ka raste kur marrin edhe çokollata, sepse nuk kanë mundësi. Edhe në farmaci, blejnë ilaçe me listë”, tha ajo./vizionplus.tv