Ashtu siç pritej, ditën e sotme (30 dhjetor), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli vendimin për ish-kryeministrin Sali Berisha.

GJKKO ka miratur kërkesën e SPAK dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për liderin e opozitës.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përfaqësuar nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, kërkoi: Pranimin e kërkesës sipas objektit; Zëvendësimin e masave të sigurimit personale shtrënguese, “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”  dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”  ndaj personit nën hetim Safi Berisha, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sati Berisha, duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën Rruga “Mustafa Matohiti”, duke u siguruar ruajtja e tij me punonjës policie të shtetit, si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të.” 

Prokuroria e Posaçme ka marrë autorizim nga Kuvendi për të ngritur masën e arrestit ndaj-ish kryeministrit Sali Berisha, person nën hetim për çështjen Partizani, nga detyrim paraqitje, që ai nuk e respektoi në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore dhe të mos ketë asnjë komunikim me persona të tjerë veç familjarëve në banesë.

Ish kryeminstri Sali Berisha është person nën hetim në çështjen mbi procedurat e privatizimit të ish kompleksit Sportiv Partizani, i cili dyshohet nga SPAK për korrupsion pasiv, duke favorizuar dhëndrrin e tij, Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e atij trualli, ku më pas u ndërtuan një grup pallatesh./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version