Fredi Beleri është zgjedhur zyrtarisht nga partia në pushtet e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis në Greqi si kandidat për eurodeputet në zgjedhjet e përgjithshme evropiane që mbahen qershor.
Shpallja e Belerit vjen në një kohë që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ndodhet në burg në vendin tonë, në një përballje të gjatë me drejtësinë si i akuzuar për vjedhje votash.
Beleri reagoi menjëherë nga burgu duke falenderuar kryeministrin Mitsotakis për besimin dhe mëbshtetjen gjatë kohës që ai ndodhet në burg.
“Kjo betejë që po bëj nuk është personale. Është për pjesën më të vuajtur, minoritetin grek të Shqipërisë. Vëllezërit e mi që pas dekadash shtypjeje duan dhe kanë të drejtë të jetojnë të lirë dhe të qetë, pa frikë, në një vend që respekton të drejtat, nderin dhe pronën e tyre”, tha Beleri.
Kandidatura e Fredi Belerit pritet të komplikojë edhe më shumë marrëdhëniet Greqi-Shqipëri.
E nga ana tjetër emri i tij nën logon e Demokracisë së Re ka gjasa të ketë mbështetje të gjerë pasi nuk u drejtohet vetëm atyre që jetojnë dhe votojnë në Greqi, por një pjese të rëndësishme të votuesve që kanë ndjeshmëri të veçantë ndaj grekëve si dhe për çështjet e politikës së jashtme./vizionplus.tv