Sektori i Policisë Rrugore i qarkut të Korçës në këtë fundvit ka marrë të gjitha masat për të siguruar një trafik normal dhe për t’ua bërë përdoruesve sa më të lehtë festën e ndërrimit të viteve.

Policia e Shtetit dhe Policia Rrugore si pjesë përbërëse e saj ka kaluar në gatishmëri të përforcuar, për të përballuar fluksin në rritje që është në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë por në veçanti qytetit të Korçës që është nje atraksion i rëndësishëm turistik.

Siç dihet në këtë periudhë është qyteti më i frekuentuar nga pushuesit kryesisht vendas.

Policia Rrugore me këtë rast i bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës, drejtuesve të mjeteve por sidomos këmbësorëve, drejtuesve të biçikletave dhe motoçikletave që të tregojnë kujdes maksimal.

Policia Rrugore nuk do të ketë si qëllim ndëshkimin e këtyre drejtuesve të mjeteve por sigurisht që nuk do të tolerojë shkelje të cilat sjellin pasoja në trafik dhe në jetën e njerëzve.

“Ju bëj thirrje sidomos këmbësorëve të tregojnë kujdes maksimal dhe ju bëj thirrje drejtuesve të na mirëkuptojnë pasi siç thashë trafiku është i shtuar dhe i kemi marrë të gjitha masat për t’ua lehtësuar këtë trafik. Policia rrugore do të jetë e pranishme në të gjitha akset edhe në qytet do të punojë me orë më të zgjatura, pasi ka kaluar në gatishmëri dhe do të merren masa për mjetet që do të tejkalojnë shpejtësinë. Në veçanti dihet që gjatë festave njerëzit kanë tendencën për të përdorur alkoolin më tepër dhe ndaj këtyre shkelësve nuk do të tregojmë tolerim sepse është e rëndësishme për ne dhe per jetën e tyre”, tha Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.

“Përforcime nga Tirana nuk kemi konfirmim, dihet që Tirana është vetë një qytet i madh dhe me probleme por ne do ta përballojmë me këto kapacitete që jemi duke punuar me orë te zgjatura per të siguruar një kalim të mirë të ndërrimit të viteve”, përfundoi ai./vizionplus.tv 

Share.
Exit mobile version