1200 pasagjerë dhe 300 automjete kanë mbërritur mëngjesin e kësaj të premteje në portin e Vlorës, të ardhur me tre tragete të linjës nga Brindisi. Ndërkohë pritet në mbrëmje edhe trageti i katërt me numrin e pasagjerëve që pritet të shkojë më shumë se 1600. Shefi i përpunimit të trageteve në portin e Vlorës Festim Skëndaj konfirmon se fluksi do të vijojë edhe gjatë fundjavës ndërsa referuar statistikave, pjesën e konsiderueshme të të ardhurve e zënë të huajt, kryesisht italianët, por nuk mungojnë edhe nga kombësitë e tjera.
Italianët vijojnë të mbeten besnikë të pushimeve në Shqipëri, mes tyre edhe shumë të rinj që vijnë për herë të parë në vendin tonë. Ata thonë se kanë dëgjuar që Shqipëria është një vend ideal për pushime, ndaj kanë zgjedhur Vlorën dhe jugun e vendit.
“Kemi ardhur nga Italia, kemi ardhur për pushime ne Vlorë. Është hera e tretë që vij këtu. Këtë herë kemi prenotuar një apartament këtu në Vlorë. Deri tani nuk kemi parë qytete të tjera, besoj se do i vizitojmë”, shprehet një turist.
“Kam ardhur nga Brindisi, është hera e katërt që vij në Vlorë për pushime. Jemi ndjerë gjithmonë mirë. Do të qëndrojmë në Vlorë, më pas do të shikojmë të lëvizim edhe diku tjetër”, thotë një tjetër.
“Vijmë nga Leçe. Është hera e parë që vijmë në Vlorë. Kemi dëgjuar gjëra të mira dhe na kanë këshilluar për të ardhue këtu. Hahet mjaft mirë, sidomos peshku. Do të qëndrojmë në Vlorë, kemi këtu edhe miq të tjerë që kanë ardhur para nesh dhe janë duke na pritur”, shprehet turisti.
“Vijmë nga Brindisi, duket që këtu është shumë nxehtë. Jemi kurioz të zbulojmë gjithçka, nga porti ende s’duket asgjë. Disa miq tanë kanë ardhur vitin e kaluar dhe kanë folur mjaft mirë për vendin tuaj. Na kanë këshilluar disa vende për të vizituar dhe do të qëndrojmë për tre ditë këtu”, thotë një tjetër.
Ndërkohë edhe në ditët në vijim pritet që numri i turistëve të rritet në qytetin e Vlorës. /vizionplus.tv