Vrasja e 23-vjeçarit Gëzim Sinomataj, ishte një krim profesional. Kështu u shpreh eksperti i kriminalistikës Artan Rezhepi, i cili shtoi se kjo ngjarje mund të jetë e vështirë për tu zbuluar, por jo e pamundur.
Nga studio e “7pa5” Rexhepi tha se pista e hakmarrjes mund të jetë njëra anë e vrasjes së të riut, teksa shtoi se viktima mund të ketë pasur llogari të hapura edhe në Belgjikë.
Sipas tij, prokuroria duhet ta nisë hetimin që nga personi që stakoi dritat, sepse në momentin e ndodhjes së krimit, në zonë mungonte energjia elektrike. Eksperti më tej tregoi edhe pikat që duhet të përdoren, për të zbardhur vrasjen e rëndë.
“Deri më tani mund të themi që ka një tentativë për të luftuar krimin. Por krimi profesional nuk po goditet. Nëse i ecim pistës së hasmërisë, janë vrarë disa persona. Ai mund të ketë edhe llogari të hapura në Belgjikë. Shteti ka detyrë të zbardhë autorin dhe ta vendosë para drejtësisë.
Nëse është goditur me snajper, autori mund të ketë lënë ndonjë gjurmë. Goditjet në distancë kapin dy pika dhe krijohet kollaj pika e goditjes. Nuk hyn tek krimet e lehta, por këto janë vështirësisht të shmangshme, sidomos po kanë motive të forta si gjakmarrja.
Kriminaliteti duhet luftuar në përgjithësi, por rastet sporadike nuk i shmang dot. Ai ka qenë i mirëmonitoruar. Ky është krim profesional dhe ka goditur vetëm shënjestrën.
Krim profesional janë krime vështirësisht të zbulueshme. Po të hysh mirë, krimi nuk është i pazbulueshëm. Është i vështirë, por me ekspertë të zotë zbulohet.
Këto kamerat që ndonjë herë bezdisin njerëzit, për krimet janë shumë të mira për të krijuar ide e të gjitha lëvizjeve. Ai mund të jetë mbajtur në monitorim për disa ditë për të gjetur pikën ku do goditet. Një pikë që më bëri përshtypje më bëri mungesa e energjisë elektrike. Prokuroria nga aty duhet ta nis hetimin, kush e stakoi energjinë”, tha Rexhepi./vizionplus.tv