Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka mendon se nuk ka më kohë për të plotësuar kërkesën e opozitës pqr qeveri teknike. I ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus nën moderimin e Pranvera Borakajt, Duka tha se për të pasur zgjedhje të ndershme do të ishte mirë krijimi i një qeverie teknike herë pas herë, por në këto kushte nuk është më e mundur. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 11 maj 2025.

Duka: Nuk ka më kohë për të realizuar qeveri teknike. Më duket një kërkesë e justifikueshme. Nëse deri tashmë kemi akuzuar si opozitë për vjedhje të zgjedhjeve tani është e vërtetuar. Në rasin e Durrësit, vendi i një deputeti ishte i paracaktuar nga krimi. Në këto kushte, për të pasur zgjedhje sa më të ndershme, do të ishte mirë të kishim qeveri teknike. Me sa shoh kjo nuk po realizohet dhe tani nuk ka më as kohë.

I pranishëm në studio ishte edhe sekretari për Çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso. I pyetur nga moderatorja Pranvera Borakaj nëse janë tërhequr nga kërkesa për qeveri teknike, Kaso tha se i qëndrojnë deri në fund, por edhe nëse nuk realizohet sërish do të hyjnë në zgjedhje.

Kaso: Vazhdojmë me këtë kërkesë mëse të përligjur. Kauza jonë ka qenë e drejtë dhe është e drejtë. Ne në zgjedhje sigurisht që do futemi dhe kjo është zgjidhur edhe formalisht, ka një rezolutë të 30 prillit 2022 ku PD bën një “mea culpa” të disa gabimeve të së kaluarës dhe ka hequr dorë nga praktikat e bojkotimit. Por për sa kohë të ketë mundësi ne do t’i qëndrojmë kërkesës sonë. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version