Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka reaguar sërish lidhur me tragjedinë që tronditi Shkodrën.
Më 2 maj, Alma Arrazi, në kushte të rënduara psikologjike, dyshohet se mori 3 fëmijët e saj të mitur dhe u hodh nga ura në lumin Buna. Fatkeqësisht ata u gjetën të pajetë, ndra lidhur me ngjarjen është arrestuar bashkëshorti, Erdgys Arrazi, 31 vjeç. Ai akuzohet për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes.
Balla thotë se hetimeve për këtë ngjarje të rëndë do t’i shkohet deri në fund.
Balla: Fatkeqësisht dyshimet tona për ngjarjen e rëndë dhe shumë të trishtueshme në Shkodër u konfirmuan me gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijëve. Tani duhet t’i shkohet deri në fund hetimit të plotë të rrethanave, shkaqeve dhe fajësisë së kësaj ngjarje të rëndë. Gjykata e Shkodrës ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e bashkëshortit nga Policia e Shtetit, e cila ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik. Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune.
Edhe pse kanë bërë detyrën dua t’i falenderoj polumbarët e RENEA dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike për angazhimin e tyre. Sapo kam falenderuar kolegun Danilo Šaranović, Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, për angazhimin efektiv të forcave të tyre policore gjatë kërkimit. Mirënjohje edhe banorëve dhe peshkatarëve të zonës për angazhimin e tyre në këto dy ditë të vështira./vizionplus.tv