Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tronditëse në Sukth të Durrësit ku Bedrie Loka i dha fund jetës duke pirë fostoksinë gjatë mbrëmjes së 2 janarit.
Siç mëson VizionPlus nga detajet e dosjes së prokurorisë, familjarët e kanë marrë 41-vjeçaren dhe dërguar me urgjencë në spital pasi e gjetën pa ndjenja në shtëpi. Rezulton, ashtu siç deklaron edhe avokati, se Bedrie Loka është përmendur njëhërë në spital dhe ka komunikuar me vajzën e madhe duke i kërkuar falje për veprimin e bërë.
Në lidhje me përmendjen e saj në spital flet edhe bashkëshorti, Xhemal Loka, i cili thekson se ka patur një komunikim të shkurtër me Bedrien duke e pyetur se përse kishte pirë fostoksinë dhe ajo i është përgjigjur se ishte prekur shumë nga videot në Tik Tok.
Ndërkohë, siç mëson gazetari i Vizion Plus, Aleks Kalemasi, Xhemal Loka ka deklaruar sot në gjyq se nuk kanë patur konflikte me bashkëshorten. Madje sipas tij, ai i ka thënë se nuk duhej të mërzitej për çështjen e fotove që i kishin nxjerrë në Tik Tok pasi do ta zgjidhnin bashkë.
“Jam dakort me avokatin, por jo me prokurorin. Mahmuti (avokati sh.r) ka njohuri per situatën me nusen time. Kam marë kërcënime dhe mesazhe në telefon. I kam thënë nuses mos u mërzit për fott sepse dhe mua mund të ma nxjerrin një të tillë. Kur i nxorrën foton e dytë, i thanë me mesazhe private se nuk kishin mbaruar punë akoma”, ka deklaruar Xhemal Loka në sallën e gjyqit.
Bedrie Loka vrau veten në 2 janar, por ngjarja shkaktoi debat të madh pasi prokuroria filloi të hetonte në dy pista: Atë të vetëvrasjes pas denigrimit në rrjetet sociale dhe vetëvrasjes pas dhunës në familje.
Familja e bashkëshortit këmbëngul në faktin se Bedrie Loka vrau veten pas fotove denigruese që i kishin nxjerrë në rrjetet sociale, ndërkohë që vëllezërit deklarojnë se ajo dhunohej nga bashkëshorti.
Nisur nga këto deklarime si edhe pasi gjetën armë në shtëpinë e Xhemal Lokës, policia e arrestoi atë duke e akuzuar se kishte shtyrë gruan drejt vetëvrasjes. /vizionplus.tv