Sapo përmendet fjala “njerkë”, menjëherë në mendje na vjen dikush që është i keq. Fatmirësisht, me kalimin e kohës kjo ka ndryshuar dhe personazhe të ndryshme publikë kanë dëshmuar se të kesh një familje “të përzier” nuk është gjithmonë një gjë e keqe. Së fundmi, ishte Çiljeta Xhilaga, ajo e cila tregoi në “Ferma VIP” se ka një familje të shkëlqyer dhe një marrëdhënie të mrekullueshme me djalin e partnerit të saj Albanit, të cilin e konsideron njësoj si djalin e saj Nandon.
Për të diskutuar rreth prindërimit dhe sfidave të të pasurit një nënë apo baba jobiologjik, të ftuara në studion e “7pa5” të moderuar nga Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova ishin piktorja Anila Hetoja dhe pedagogia Arjana Muça.
Biseda në studio
Arjana Muça: Në përgjithësi në aspektin e zhvillimit të fëmijës, kujdestar do të ishte termi më i përshtatshëm. Duke i dhënë ngjyrimin njerkë duket një figurë e errët, nuk përcjell emocion. Në përgjithësi do ta lidhja me aspektin kulturor që ne kemi dhe me mënyrën se si është parë një nënë e dytë, të cilën fëmija nuk e ka nënën e vet biologjike. Kjo më tepër vjen nga mentaliteti që ne kemi përcjellë…kjo vjen edhe për shkak të mentalitetit paragjykues që ne kemi. Menjëherë sapo e dëgjon si terminologji shikon diçka të huaj që nuk të sjell emocionet që të sjell fjala nënë. Kontakti fizik me fëmijën është shumë i rëndësishëm. Në rritjen e një fëmijë nuk është vetëm nëna, janë të dy prindërit. Kjo lidhje pavarësisht se në hapat e parë fillon me nënën, pas një muaji fillon edhe lidhja e fortë me babanë. Edhe nëse nëna zëvendësohet me një nënë të dytë, nëse dashuria përcillet në mënyrën e duhur, dhe nëse arrin të kuptohet nga fëmija nuk ka për të pasur paragjykime dhe barriera.
Anila Hetoja: “Mother in law” është term tjetër, dhe njerkë është term tjetër. Jashtë i kanë termat e zbutur sepse kanë evoluar. Sot kohët kanë ndryshuar dhe për mua sot nuk është një problem që të jesh një njerkë dhe të rrisësh një fëmijë.
Arjana Muça: Nëse hyn në një lidhje të tillë duhet të pranosh dhe fëmijën që është në mes. Kur hyn në një lidhje të tillë do të thotë që ka një dashuri të madhe dhe kjo dashuri duhet të përcillet edhe te fëmija. Fëmija është qënia më e pafajshme dhe nuk duhet të fajësohet për asnjë nga gabimet e prindërve. E rëndësishme është që fëmija ta ndjejë nënën. Kemi nëna që e kanë fëmijën biologjik dhe janë neglizhente. Në varësi të moshës duhet të dish edhe si të sillesh me këta fëmijë.
Anila Hetoja: Është një punë e vështirë, por çdo gjë arrihet. Fillimisht mes çiftit, nëse kanë dashuri për njëri-tjetrin duhet të kenë dashuri edhe fëmijën./vizionplus.tv