Sali Berisha ka kërkuar sërish qeveri teknike. Lideri i opozitës, nga dritarja e banesës së tij, ku mban fjalimet e përditshme pas “arrestit shtëpiak”, tha se me kreun e qeverisë, Edi Rama nuk ka zgjedhje, ndaj është e nevojshme të krijohet një qeveri teknike.
Berisha: A ka të vërteta më të hidhura se vjedhja e tmerrshme që Edi Rama u bën shqiptarëve. Sikur të ishte një qenie mitologjike, u gllabëron portin mijëravjeçarë, trashëgimni e qindra e qindra gjeneratave të shqiptarëve, për ta shndërruar në Dubain City të tij. Çfarë mund ti bëjë Shqipërisë më shumë ky njeri. Çfarë mund ti bëjë shqiptarëve ky njeri. A duhet ta durojmë më tej ne këtë person.A duhet të përballemi ne me të, dhëmb për dhëmb dhe ti tregojmë vendin. Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë qeveri teknike sepse me këtë njeri nuk ka zgjedhje, sepse është armik i egër i votës tonë, i opozitës, i lirive, i dinjitetit të shqiptarëve.
Berisha shtoi se nëse nuk shkohet drejt zgjedhjeve të lira, vendin e pret “shkatërrimi kombëtar”. Ai i bën thirrje shqiptarëve që të lënë bindjet politike dhe të bashkohen.
Berisha: Nëse ne nuk shkojmë drejt zgjedhjeve të lira, ne na pret shkatërrimi kombëtar. Ne na pret zbrazja totale e Shqipërisë dhe Shqipëria shndërrohet gjithçka në parajsën e krimit, të drogës, të bajlozëve të krimit dhe drogës. Ndaj si shqiptarë le ti lëmë të gjitha bindjet politike, por geni ynë është geni atdhetar.Le ti thërrasim ne këtij geni, të bashkohemi. Për çfarë të bashkohemi? Që secili prej nesh pavarësisht nga bindjet politike të votojë i lirë, me dinjitet, për atë që do, të mos pranojë ndërhyrjen e askujt, të zgjedhë vetë njerëzit që do, si njeri i qytetëruar. A do të pranojmë ne kryeministër njeriun që korrupton udhëheqësit të NATO-s, partnerit strategjik, kryezbuluesin dhe ai futet në burg, kurse ky dërdëllis se mbrohet nga mafia e Sorosit dhe mafiat e tjera. Jo more jo, do të përgjigjet para nesh ai.