Kreu i shtetit, Bajram Begaj ka uruar Presidenten e zgjedhur në Maqedoninë e Veriut, Silanovska-Davkova.
Përes një postimi në platformën X, Begaj thotë se së bashku me Silanovska-Davkova do të vijojnë të forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
Begaj: Urime Gordana Silanovska-Davkova, e cila u zgjodh presidentja e parë femër e Maqedonisë së Veriut. Jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet tashmë të shkëlqyera mes vendeve tona mike, si anëtarë të NATO-s dhe si anëtarë të ardhshëm të BE-së, kauzë për të cilën komuniteti shqiptar në Maqedoninë e Veriut mbetet plotësisht i përkushtuar.
Congratulations to @gogamkd on being elected as the first female President of North Macedonia.
I am confident that together we will continue to strengthen the already excellent relations between our friendly countries, both as NATO members and as future members of the EU, a…
— Bajram Begaj (@BajramBegajAL) May 9, 2024
Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit.
Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.
Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.
Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti… sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.
Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.
“Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova./vizionplus.tv