Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar pasuritë e shtetasit S.Gj., i dënuar në Shqipëri dhe Itali për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike”
Shtetasi në fjalë, ka ushtruar aktivitet të paligjshëm dhe me Vendimin të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, është deklaruar fajtor dhe dënuar për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë së një herë, në bazë të nenit 283/a-2 të Kodit Penal dhe 406 të Kodit të Procedurës Penale me 7 vjet e 4 muaj burgim. Policia gjyqësore ka kryer hetime dhe janë siguruar prova e fakte, se shtetasi S.Gj., dhe familjarët e tij, kanë në pronësi pasuri që nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe se ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova e fakte që këto pasuri rrjedhin nga veprimtaria e paligjshme e kriminale të shtetasit S.Gj., për të cilat është kërkuar vendosja e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive bazuar në nenin 174 të Kodit Procedurës Penale.
Investimet e realizuara në fushën e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të kryera nga shtetasi S.Gj., dhe familjarët e tij, nuk justifikohen nga të ardhurat e tyre dhe diferenca e pajustifikuar nga burime të ligjshme është në shumën rreth 30 milionë lekë. Janë bërë verifikime dhe ka rezultuar se Gjykata e Milanos nw Itali, e ka dënuar shtetasin S.Gj., me 24 vjet e 2 muaj burgim për veprën penale të “Pjesëmarrje në organizatë kriminale në trafikimin e lëndëve narkotike” dhe Zyra e Interpol Tiranë e ka shpallur në kërkim me qëllim ekstradimin e shtetasit S.Gj., në Itali.
Për këto arsye, në zbatim të nenit 274 e vijues të Kodit Procedurës Penale, Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror sekuestro preventive për pasuritë:
1-Banesë me 2 (dy) kate dhe garazh me sipërfaqe ndërtimi prej 150 m2, e ndërtuar pa leje dhe e vetëdeklaruar nga shtetasi S.Gj me vendndodhje në Shijak;
2-Lokal “Njësi” me 1 (një) kat, i ndërtuar pa leje dhe e vetëdeklaruar nga A.Gj. me vendndodhje në Shijak, me sipërfaqe ndërtimi 96 m2;
3-Tokë “Arë” me sipërfaqe 4.000 m2 në fshatin Lalëz-Njësia Administrative Ishëm të rrethit Durrës;
4-Tokë “Arë” me sipërfaqe 2.000 m2, në njësinë Administrative Ishëm të rrethit Durrës; dhe
5-Tokë “Arë” me sipërfaqe 2002 m2 e ndodhur në njësinë Administrative Ishëm të rrethit Durrës.