Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Kurbin, ku pas një atentati të mirëmenduar humbi jetën 70-vjeçari Selman Mihana. Ky i fundit, me funksion ekonomist, dyshohet se u vra në tentativë për të mbrojtur pronarin e firmës Ardian Gjeloshi, i cili ishte shënjestra e atentatit dhe mbeti i plagosur.

Sipas grupit hetimor, autorët kanë qenë të paktën katër persona, që dyshohet se kanë qenë vrasës me pagesë, kanë lëvizur me dy automjetë tip Range Rover, me tagra të vjedhura. Ata kanë parkuar makinat luksoze rreth 50 metra larg firmës dhe kanë hyrë brenda ambienteve nga një pjesë e cila nuk ka qenë e rrethuar me avlli.

Ata kanë pritur derisa kanë mbërritur biznesmeni dhe ekonomisti, ndërsa dyshohet se nuk e kanë njohur shënjestrën e tyre, Ardian Gjeloshin, pasi kanë qëlluar me breshëri plumbash ndaj të dy personave.

51-vjeçari Ardian Gjeloshi udhëtonte me automjet të blinduar, ndaj autorët e kanë pasur të pamundur që t’i bëjnë atentat rrugës, dhe kanë zgjedhur t’i shkojnë në biznesin e tij për ta vrarë.

Pas ngjarjes, mjetet luksoze janë djegur pranë Urës së Milotit, në tentativë për të humbur çdo lloj gjurme./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version