Tre ditë para konventës kombëtare, Ilir Meta, i ftuar në studion e “Quo Vadis” të moderuar nga Pranvera Borakaj, ka sqaruar një herë e mirë deklaratat për krisje në raportin e tij me bashkëshorten, Monika Kryemadhi.

Përballë analistit Mentor Kikia dhe kryeredaktorit të “Vizion Plus”, Roland Zili, kreu i PL tha se po përpiqet që në parti të zhdukë nepotizmin dhe të instalojë meritokracia. Sipas tij, nuk ka asnjë krisje në marrëdhënien e tij me Kryemadhin, për të cilën tha se ka një kontribut të jashtëzakonshëm në parti.

Zili: Ju po riktheheni dhe keni gjetur një formë interesante rikthimi. Por përtej mënyrës së komunikimit që keni zgjedhur, në këtë rikthim, në këtë lloj rilindje që doni t’i jepni partisë, keni dhe një marrëdhënie që shumë njerëz e shikojnë me habi. Një krisje të fortë me Monika Kryemadhin. A po e sakrifikoni Kryemadhin?

Ilir Meta: Kjo më kujton një histori me disa kolegët tuaj, të cilët gjithmonë më thoshin mua për nja dy tre kolegë ministra që kisha, “hiqi këta mo burrë”. Një ditë unë e hoqa një mikun tim, sepse duhej bërë një reformë, ai po e vononte. Këta kolgët që më thoshin vazhdimisht “hiqe”, kur e hoqa më thanë “atë e gjete ta heqësh”. Në këtë rast nuk është e njëjta gjë. Shumë prej jush gjithmonë keni thënë LSI parti familje, parti burrë e grua, etj. Kontributet e Monikës janë të jashtëzakonshme, që në kohën e PS-së, ajo tmerroi dynjanë, mbushi gjithë sallën e Pallatit të Kongreseve, e në vazhdimësi, është një figurë publike. Por a nuk keni thënë ju vazhdimisht këtë gjë? Në rastin aktual nuk ka asgjë kundër Monikës. Ka një problem të rëndësishëm që ka të bëjë me instalimin e meritokracinë në Partinë e Lirisë.

Zili: Monikës nuk ia vë asnjeri në diskutim meritokracinë…

Ilir Meta: Nuk ka asnjë padrejtësi ndaj askujt. Statuti që do të miratohet përpiqet të eliminojë nepotizmin, sepse nuk  është vetëm një rast i tillë. Monika është në komitetin drejtues kombëtar të PL. Nëse dëshiron të qëndrojë në kryesi apo të paraqesë një alternativë tjetër, të votohet. Votohet bashkë me mua. Problemi më i madh nuk është Iliri dhe Monika. Problemi më i madh është që nepotizmi na ka goditur rininë. Ne duhet të bëjmë një revolucion në administratën publike, nepotizmi po vret demokracinë. Vetëm në dogana janë 500 raste nepotike, burrë e grua, vëlla e kunatë, etj. Nuk po përmend gjithë admnistratën. Ne duam të bëjmë të qartë se çdo gjë do të bazohet në meritokraci. Partia jonë nuk do të ketë një kakofoni. Partia jonë do të jetë më demokratikja. /vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version