Rrjetet sociale i kanë dhënë mundësinë kujtdo që të shfaqë copëza nga jeta e tyre. “Realiteti” i rrjeteve sociale është gjithmonë një temë që ngjall debat dhe për të folur për këtë në studion e emisionit “7pa5” ishin poeti, Albi Lushi, psikologia, Lenida Halilaj dhe influencerja, Marsela Maksuti.
Poeti Allbi Lushi theksoi se shoqëria shqiptare në tërësi është sipërfaqësore dhe e cekët dhe del jashtë mundësive për t’u hequr ndryshe nga ajo që është.
“Ne shohim gjithkund, nëpër media situata sipërfaqësore, mendime sipërfaqësore sepse edhe jetën e bëjmë sipërfaqësore, lexojmë sipërfaqësorisht. Nuk hyjmë të lexojmë një libër nga fillimi deri në fund për t’i marrë përmbajtjen, por lexojmë vetëm atë përmbledhjen. Këto lloj modelesh, këto lloj mënyrash se si ne mundihemi të studiojmë na bën që t’i shohim gjërat cekët, mendojmë cekët dhe kjo patjetër na bën pastaj një shoqëri të cekët që besojë do t’i vuajë kjo kohë, por më shumë do i vuajë e ardhmja”, tha ai.
Por influencerja, Marsela Maksuti, mendon se në fakt ky është një fenomen global, por përgjithësimi nuk qëndron, pasi sipas saj ndonjëherë sipërfaqësorja është domosdoshmëri.
“Ne jetojmë në një shoqëri sipërfaqësore, por nuk i referohemi Shqipërisë, domethënë është një planet i tërë. Mund ta shohësh edhe tek industria e muzikës në Amerikë, tekstet e këngëve për çfarë ata flasin, kujt i këndojnë. Çdo që është e fokusuar tek gjërat sipërfaqësore, siç është paraja, fama, luksi, pushteti. Duhet të theksojmë se të qenurit sipërfaqësorë nuk është gjithmonë diçka e keqe, është e keqe kur je vetëm sipërfaqësor, kur je vetëm kjo, por nëse je pak sipërfaqësor, e sheh jetën thellë, i ke të dyja, mendoj se një është një miks mjaft i mirë, sepse ne jetojmë në kapitalizëm dhe në kapitalizmi të detyron që një pjesë e jotja të jetë sipërfaqësore që të mbijetosh”, tha ajo.
Nga ana tjetër, psikologia Lenida Halilaj mendon se sipërfaqësorja, si term, është sigmatizuar.
“Secili ka një lloj koncepti, qasje tjetër ndaj jetës dhe nëqoftëse kjo jeta vanitoze dhe të pasur brande të caktuara dhe një stili jetese të caktuar, që bën pushime disa herë në vit sepse ato të ardhura ka, për të ndoshta është vetëm stil jetese sepse kështu është mësuar, këto lloj kulture ka në familje, ashtu i kanë ardhur situatat, etj…Për dikë tjetër që romantizon pavarësisht pse ka disa vështirësi specifike edhe thotë unë jam njeri i thellë edhe sepse jam në varfëri, e krahason veten me këtë personin vanitoz për situatën në të cilën ndodhet, nuk më duket shumë e drejtë si gjë edhe më duket sikur ka një lloj demonizimi të këtij koncepti”, tha ajo./vizionplus.tv/