Tregtarët e tregut të rrobave të përdorura në Shkodër po protestojnë para bashkisë së qytetit.

Ata kërkojnë nga pushteti vendor që tu vijë në ndihmë për rindërtimin e tregut ose gjetjen e një hapësire tjetër për të tregtuar.

“Kërkojmë prej bashkisë të na rregullojë tregun. Nuk kemi të ardhura të tjera, me punë jetojmë. Një ditë pa punë, një ditë pa buke. Kërkojmë ndihmën e bashkisë, pasi që kur është djegur tregu askush s’na ka pyetur për asgjë. Ishte burimi i vetëm i të ardhurave për ne”, shprehen ata.

Prej më shume se 1 ore tregtarët presin një takim me një prej drejtuesve të bashkisë.

“Kërkojmë të na bëjnë një treg të ri se jemi pa punë. Nuk jemi të zonjat të punojmë në vend tjetër, ai është i vetmi burim të ardhurash. Nuk ka ardhur askush të na takojë”, thotë një tregtare.

“Vetëm treg, nuk duam gjë tjetër. E duam tregun prej shtetit dhe të jetë me rregulla. Nuk na ka takuar askush, as kryetari i bashkisë, as sekretari. Nuk na ka pyetur asnjë për hallin që na ka rënë”, thotë një tregtare tjetër.

Thonë se në tregun i cili u dogj kishin 20 vite që punonin dhe i kërkojnë bashkisë që t’i hapë tregun e ri me kushte bashkëkohore.

“Nuk duam dëmshpërblim. Jemi dakord të paguajmë taksa të gjitha sepse kemi mbetur në rrugë të madhe”, thotë një prej tregtareve.

Zjarri ra më 14 qershor dhe zgjati më shumë se 5 orë duke shkrumbuar 80 njësi tregtare dhe 5 banesa që ndodheshin aty pranë./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version