Këngëtari i dashur për shumë fansa, Yll Limani ka mbajtur koncert madhështor në Prishtinë, për dy netë radhazi, ku qytetarë e figura publike ishin mbledhur për të dëgjuar hitet e tij.

Por, një paraqitje e veçantë ishte edhe ajo me babain e tij në skenë.

Babai i Yllit, Mufail Limani, dikur ishte pjesë e grupit të njohur muzikor “Minatori”.

Këngëtari i hitit “Pritem se po vi”, është duke u ngjitur ngadalë në majat e suksesit muzikor, por mbetet të shihet se sa do të arrijë t’i afrohet suksesit të babait, që dikur përmes grupit “Minatori” nxirrnin hite që edhe sot dëgjohen.

Kur Yll Limani lindi në 1994 grupi ‘Minatori’, pjesë e të cilit ishte babai i tij, Mufaili, kishte vite në tregun muzikor dhe atë vit publikuan albumin e parë “Orgazmi Më Vjen Prej Syve Të Tillë”. Grupi u tërhoq nga muzika pak vite më vonë ndërsa këngët e tyre vijojnë t’i mbijetojnë kohës dhe dekada më vonë Ylli ka më në fund një këngë të krijuar nga i ati.

Në albumin e ri të këngëtarit “Tjetër”, kënga “Ndjenjë” është shkruar nga babai i artistit, i cili ka krijuar po ashtu edhe muzikën.

“Bab, me ty ia ka nis dashnia jem për muzikë. Të dua shumë! Të detyrohem gjithçka.”-shkroi Ylli.

Emri i Yllit u bë i famshmëm për herë të parë në talent show-n “The Voice of Albania” në vitin 2011 ku ra në sy jo vetëm për zërin magjepsës por edhe për sensin e tij të humorit që shkaktonte shpesh të qeshura në skenë.

Mirëpo, ndonëse prej vitesh tashmë është një nga emrat më të lakuar të skenës muzikore shqiptare, pakkush e di se Ylli Limani vjen nga një familje artistësh. Ylli është i biri i kitaristit të grupit legjendar ‘Minatori’, Mufail Limani.

Grupi “Minatori” njihet si një ndër grupet më të njohura në Kosovë, të cilët janë dalluar edhe për tekstet e këngëve, të cilat vazhdojnë të mbeten të paharruara për shumë adhurues.

Një ndër këngët e famshme të grupit “Minatori”, është edhe kënga “A thua ëndërr ishe ti”, mirëpo, grupi “Minatori”, është një ndër grupet që ka krijuar shumë hite për vitet e 80-ta, ku këngët e tyre kanë qenë hite në Radio Televizionin e Prishtinës.

Yll Limani ngjitet në skenë bashkë me babain e tij, gazetarin e njohur që dikur ishte roker / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version