Prokurorët argjentinas kanë konfirmuar arrestimin e tre të dyshuarve lidhur me vdekjen e këngëtarit britanik Liam Payne, përfshirë një mik të tij i cili akuzohet për “braktisjen e një personi të cilit i pasoi vdekja”. Ai akuzohet gjithashtu për bashkëpunim në shpërndarjen e drogave – një krim që mund të dënohet me deri në 15 vjet burg.

Dy punonjës të hotelit gjithashtu janë nën hetim për përfshirjen e tyre në këtë rast, sipas raportimeve të ABC News. Ngjarja ndodhi pasi Payne, 31 vjeç, humbi jetën nga një rënie nga ballkoni i katit të tretë të hotelit ‘CasaSur Palmero’ në Buenos Aires më 16 tetor.

Në deklaratën e tretë zyrtare që prokuroria lëshoi pas ngjarjes, u konfirmua se Payne kishte në sistemin e tij gjurmë të alkoolit, kokainës dhe një antidepresanti. Sidoqoftë, është përjashtuar mundësia që Payne të ketë ndërmarrë një veprim vetëvrasës, shkruan DailyMail.

Deklarata e prokurorisë, nën drejtimin e prokurorit Andrés Esteban Madrea, tregoi se janë ndërmarrë veprime të paligjshme në lidhje me vdekjen e artistit. Tre persona janë akuzuar për krimet e “braktisjes së një personi të cilit i pason vdekja” dhe “furnizim me narkotikë”.

Prokuroria raportoi se janë analizuar 800 orë pamje nga kamerat e sigurisë, dhe janë marrë dëshmi nga stafi i hotelit, familjarët, miqtë dhe profesionistë të shëndetësisë. Po ashtu, celulari i këngëtarit dhe regjistrat e hotelit janë shqyrtuar.

Pas kryerjes së autopsisë dhe analizave të plota laboratorike, u autorizua dorëzimi i trupit të Payne babait të tij, Geoff Payne. Raporti i prokurorisë detajoi gjithashtu një hetim të plotë që përfshiu bisedat dhe rrjetet sociale të artistit, të cilat dëshmuan se ai ishte furnizuar të paktën katër herë me substanca narkotike gjatë qëndrimit të tij në hotel.

Autopsia e kryer nga Mjekësia Ligjore zbuloi se vdekja e Payne u shkaktua nga lëndime të shumta të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e rënies nga lartësia. Prokuroria gjithashtu përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes së të tretëve apo të ndonjë akti vetëdëmtues.

Policia arreston tre persona në Argjentinë që mund të kenë lidhje me vdekjen e Liam Payne / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version