Këngëtarja Parashqevi Simaku do të dalë nga spitali të mërkurën, ka njoftuar biznesmeni Elton Ilirjani, i cili është kujdesur për të gjatë javëve të fundit.
Artistja do të strehohet në shtëpinë e saj të re, ka shtuar Ilirjani.
“Rrugëtimi i saj do të rinisë, do të shkoj t’ia jap lajmin e mirë që ajo mezi po e pret. Do t’i çoj dhe byrek me spinaq, që ajo e ka shumë qejf. Kjo s’do të thotë se çdo gjë ka kaluar. Unë e di që kur ajo të dalë, do të vazhdojë me dëshirat e saj, me mënyrën si e shikon të gjithë këtë gjendje, por ne do të jemi aty për ta ndihmuar. Ky ka qenë një muaj me shumë dhimbje, me shpresë, me frikë, por po ia dalim”, u shpreh ai.
Ilirjani kërkoi ndihmë për përkujdesjen që i duhet Parashqevisë pas mbylljes së kurimit në spitalin psikiatrik të New York-ut. “I bëj thirrje të gjitha grave shqiptare, ato që kanë kohë të lirë, që të mund të na ndihmojnë gjatë akomodimit të Simakut në shtëpinë e saj të re. Apo për të qëndruar me të gjatë ditës dhe natës, për t’i qëndruar pranë. Do doja ta bëja unë këtë punë 24/7, por kushtet e mia nuk ma lejojnë. Nuk kam fjalë nga gjithë kjo eksperiencë, ka qenë shumë e bukur dhe shumë lodhëse”.
Ai theksoi se shumë pak artistë shqiptarë kanë mbështetur Parashqevi Simakun financiarisht, duke shtuar se kolegët e brezit të saj kanë kontribuar më pak se të tjerët.
Nga kjo situatë e vështirë, Ilirjani ka nisur konsumimin e cigares. “Për ta çdramatizuar situatën, kërkoj dhe unë ndihmë, të lë cigaren që kam një javë që e kam nisur. E di që të dëmton shëndetin, lëkurën, karrierën time. E kam përjetuar shumë këtë situatë. Dalja nga spitali nuk do të thotë që ka kaluar problemi, do të thotë që puna fillon këtu”.
Për shkak të angazhimeve, Ilirjani u detyrua të anulojë pjesëmarrjen në Javën e Modës në Kore, por shpreson që Simaku të jetë në rreshtin e parë kur ai të ngjitet në pasarelë gjatë Javës së Modës në New York. /Telegrafi/
“Parashqevi Simaku do të lërë spitalin”, Elton Ilirjani ka një thirrje për shqiptarët / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.