
Këngëtari Genc Prelvukaj, në këto zgjedhje ishte kandidat i PDK-së për deputetë, por nga rezultatet e tanishme është mësuar se ai nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për të hyrë në Kuvend.
Prelvukaj me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se sipas raporteve deri tani mund të ketë arritur rreth 12 000 vota, por mësa duket se nuk janë të mjaftueshme për tu bërë pjesë e Kuvendit.
Ai ka falënderuar ekipin e tij për besimin, teksa ka thënë se do të vazhdojë ta mbështesë PDK-në siç ka bërë 22 vite rresht.
Shkrimi i plotë:
Të nderuar Zonja dhe Zotërinj
Për disa muaj me radhë kam punuar në terren për procesin elektoral që është në prag të finalizimit. Në takime të organizuara rresht, kam njohur njerëz nga çdo pjesë e territorit të shtetit, të cilët vështirë se do ti takoja në rrethana tjera.
Kam pasur nderin të njoh të burgosur politikë, veteranë të luftês, shtëpi dëshmorësh, studentë, profesorë, bujq, historianë, mjekë, inzhinierë, gazetarë dhe më shumë. Në këtë kontekst ndjehem shumë më i pasur, sepse këto miqësi nuk lidhen lehtë.
Për secilën ditë të punës, jam munduar që kritikën ta ndërtoj mbi bazën e argumentit, duke evituar gjuhën e papranueshme, sjelljen joetike dhe metodat tjera jokonvencionale të konkurimit politik. Pa e ulur kurrë nivelin, si dhe duke e mbajtur zotimin për qetësi edhe përballë tensioneve që kampanja di ti ketë.
Sidoqoftë, sipas raporteve deri tani mund të kem arritur rreth 12 000 vota, por mësa duket se nuk janë të mjaftueshme për tu bërë pjesë e kuvendit. Mirëpo, përtej votës, janë dymbëdhjetë mijë njerëz që kanë besuar tek une dhe kjo ma jep ndjesinë më të bukur që kam marrë ndonjëherë.
Ndoshta në këtë proces kam mundur të bëj më shumë, më mirë dhe më saktë, por nuk ka relevancë më. Nuk më ka luftuar askush nga brenda, vota nuk më është marrë, nga struktura e partisë kam pasur trajtim korrekt dhe jam i nderuar për këtë.
Për më kuptueshëm: mendoj që elektorati i PDK-së ka pëlqyer më shumë cilësitë intelektuale dhe profesionale të kandidatëve tjerë dhe unë nuk kam korrespoduar me kërkesat e shumicës prej tyre.
Ndërkohë jam i bindur se, në rast triumfi, atë që do ta bëja brenda kuvendit unë, do ta bëjnë edhe më mirë kandidatët që fituan. Gjithsesi fushata qe një eksperiencë e bukur që secilën herë do ta kujtoj me shumë mirësi.
Si konkluzion e falenderoj secilin prej jush që besuat tek unë dhe sidomos ekipin tim, të cilëve u jam mirënjohës çdoherë. Jam mishëruar me ta deri në pikën ku më nuk i shoh ndryshe veçse si antarë të familjës!
Për në fund vazhdoj të besoj në Partinë Demokratike të Kosovës, siç kam bërë për 22 vite rresht, duke provuar ti jap çdo gjë, pa kërkuar asgjë në këmbim.
Me shumë nderim e mirësi
I juaji
Genc Prelvukaj
Nuk arriti të bëhet deputet, reagon Genc Prelvukaj / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.