Mars 2023. Një aksion kundër fajdeve i Policisë së Kosovës lëshoi në pranga 15 persona të dyshuar. Në mesin e tyre edhe biznesmenin Skënder Bajrami.

Bajrami është pronar i auto-sallonit “Alberti”, me bazë në Prishtinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Prokuroria, përmes hetimit të saj, atëbotë, pretendonte se biznesmeni Bajrami kishte përdorur biznesin e tij, auto sallonin “Alberti” për të kryer veprimtarinë e fajde, me ç’rast e kishte arrestuar për ta lënë disa orë pas Gjykata Themelore e Ferizajt për tu mbrojtur në liri – derisa 14 të tjerët ishin mbajtur për një kohë në paraburgim e arrest shtëpiak, deri në tetor të vitit të shkuar kur të gjithëve u ishte ndërprerë masa e sigurisë.

Në dosjen e Prokurorisë, të publikuar në media, autoriteti i ndjekjes pretendonte se Skender Bajrami se nga fillimi i vitit 2021 e në vazhdim, në auto-sallonin ‘Alberti’ ka kontraktuar shuma të fajdes, ndaj të dëmtuarit me inicialet Xh.Sh., pronar i një kompanie.

I dëmtuari, thuhej në dosje, si pasojë e pandemisë dhe obligimeve nga pagesat e fajdeve ndaj personave të tjerë, ishte gjendur në vështirësi financiare. Në pamundësi për të kryer këto obligime që ishte future, i dëmtuari Xh.Sh. sipas dosjes, kishte blerë një veturë BMW X6, të pa doganuar, nga i dyshuari Skënder Bajrami, në vlerë prej 86 mijë eurove.

Mirëpo, menjëherë, sipas Prokurorisë, të njëjtën veturë i dëmtuari ia ka shitur Skender Bajramit, me çmim prej 67 mijë eurove, të cilat para i ka marrë në dorë, e me të cilat para i ka paguar për fajde tek i pandehuri Salih Sinani, duke shkaktuar dëm nga fajdeja prej 19 mijë eurove, pretendonte Prokuroria.

Një vit e më shumë pas publikimit të këtyre pretendimeve, biznesi i Skender Bajramit, auto-salloni “Alberti” po reklamohet nga fituesi i edicionit të dytë të “Big Brother VIP Albania”, Luiz Ejlli, raporton gazeta online Reporteri.net.

Këngëtari nga Shkodra, gëzon popullaritet të jashtëzakonshme dhe gëzon influencë të madhe edhe në Kosovë që nga pjesëmarrja e tij në reality-show’in ku triumfoi.

“Çunat ma të mirë në Kosovë”, i quan Ejlli drejtuesit e auto-sallonit “Alberti” në videon reklamuese të publikuar në Instagram, ku këngëtari paraqitet në ambientet e autosallonit në Prishtinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Artista jeni”, thotë ndër-tjera Ejlli, derisa flet për pronarët dhe auto-sallonin për të cilin sipas tij “i vetmi vend që nuk kanë nevojë për reklamë, pasi reklama janë vet”.

Përveç për rastin e dyshuar të fajdes të lartcekur, për pronarin e auto-sallonit “Alberti”, Skënder Bajrami. në mars të vitit të shkuar, Prokuroria pretendonte se ia kishte shitur edhe një veturë tjetër “Taureg” të dëmtuarit tjetër Xh.Sh., me çmim prej 75 mijë eurove. Mirëpo, i dëmtuari Xh.Sh., të njëjtën veturë ia ka shitur sërish tek i dyshuarit Skënder Bajrami, në vlerë prej 46 mijë eurove, para të cilat i ka marrë në dorë dhe e ka paguar për fajde të dyshuarin tjetër Salih Sinani, duke shkaktuar dëm prej 29 mijë eurove.

Në dosjen e publikuar atë kohë nga mediumi Kallxo.com, Prokuroria pretendonte biznesmeni Skënder Bajrami është i përfshirë edhe në një rast tjetër të fajdes.

Sipas Prokurorisë, një biznesmen me inicialet S.B., për shkak të vështirësive financiare si dhe obligimeve nga pagesat për fajde ndaj personave të tjerë, është detyruar që të blerë një veturë të llojit ‘Mercedes GLS2’, me çmim prej 30 mijë eurove, të cilën sipas Prokurorisë, me ndihmën e të dyshuarit Salih Sinani e ka shitur në autosallonin ‘Alberti’ me çmim prej 14 mijë eurove.

Me këtë i dëmtuari S.B., ka pësuar dëm pasuror prej fajdes në vlerë prej 16 mijë eurove.

Prokuroria po ashtu dyshonte se biznesmeni Skënder Bajrami, me qëllim që t’i shmanget pagesës së tatimit, si pronar i auto-sallonit ‘Alberti’, me rastin e shitblerjes së veturave, pagesën e ka bërë me para kesh, duke shënuar vlera jo të sakta të veturave të shitura.

Një vit e gjysmë pas aksionit ku u arrestuan Bajrami dhe të tjerët, Prokuroria nuk ka njoftuar për ngritjen e ndonjë aktakuze ndaj biznesmenit kosovar, sikurse as për pushimin e hetimit ndaj tij dhe të tjerëve.

Arrestimi e me pas lirimi i Bajramit, nën arsyetimin e gjendjes së renduar shëndetësore kishte shënjuar skandal nga Gjykata Themelore e Ferizajt. Kjo pasi, Skënder Bajrami, disa orë pas vendimit për lirimin e tij nga arresti, ishte paraqitur në ceremoninë e hapjes së qendrës tregtare “Prishtina Mall”, biznes në të cilin ka një pjesë të pronësisë.

Deri në ditën kur Gjykata vendosi për lirim nga arresti, Bajrami kishte qëndruar i shtrirë në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, që nga dita e arrestimit të tij. /Reporteri.net/.

Biznesmeni Skënder Bajrami në ceremoninë e hapjes së Prishtina Mall (9 mars 2023)

Luiz Ejlli shfaqet duke reklamuar auto-sallonin e të dyshuarit për fajde që ishte arrestuar vjet / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version