Viti i jashtëzakonshëm i pop-yllit, Kylie Minogue, vetëm po vazhdon të bëhet më i shkëlqyeshëm me projektin muzikor, “My Oh My”, që është bashkëpunimi i ri i këngëtares australiane me artistet, Bebe Rexha dhe Tove Lo.
Kënga është prodhuar nga Steve Mac, i cili në të kaluarën ka bashkëpunuar me yje të tillë si, Calvin Harris, “Little Mix”, Ed Sheeran, “One Direction” dhe P!nk. “My Oh My” u publikua para 8 orëve vetëm në versionin audio, dhe është pritur mirë nga adhuruesit e treshes së shquar të muzikës pop. Ajo vjen mjaft ritmike dhe duket të jetë një projekt i përshtatshëm për sezonin e verës dhe muzikë tipike për klube të natës.
Viti 2023 ka qenë i jashtëzakonshëm për artisten nga Melbourne, me lansimin e albumit “Tension” i cili u pozicionua në vendin e parë të toplistave në Britani të Madhe dhe Australi, dhe publikimin e hitit global “Padam Padam”, i cili arriti të renditet në top-dhjetëshe të toplistës së këngëve më të mira dhe ia fitoi këngëtares një çmim “ARIA” në kategorinë “Kënga më e mirë e zhanrit pop”. Sukseset për Kylie Minogue vazhduan edhe gjatë 2024-tës me ç’rast e rrëmbeu çmimin “Ikonë Globale” në ceremoninë prestigjioze “BRIT Awards”, duke u bërë gruaja e dytë në histori që e pranon këtë nderim, pas Taylor Swiftit. Po ashtu e fitoi një çmim “Grammy” në kategorinë “Incizimi më i mirë pop” për këngën “Padam Padam”, si dhe e përfundoi me sukses serinë e koncerteve në Las Vegas.
Po ashtu Kylie nënshkroi marrëveshje me agjencinë “United Talent” për përfaqësim të drejtpërdrejtë në SHBA dhe Kanada, si dhe disa role aktrimi nëpër projekte të ndryshme anembanë botës.
Kylie Minogue bashkëpunon me Bebe Rexhën në këngën e re / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.