
Një tragjedi e rëndë goditi Maqedoninë e Veriut, ku një zjarr shkatërrues në klubin e natës “Pulse” në Koçan mori jetën e të paktën 59 personave.
Mes viktimave ishte edhe Andrej Gorgievski, një nga themeluesit e grupit të njohur hip-hop DNK.
Sipas dëshmitarëve, Gorgievski fillimisht arriti të dilte nga ndërtesa në flakë, por u kthye brenda për të shpëtuar të tjerët.
Fatkeqësisht, një pjesë e tavanit u shemb mbi të, duke e bllokuar bashkë me dhjetëra persona të tjerë, përfshirë edhe të mitur që kishin ardhur për koncertin.
Ai la pas një familje të pikëlluar dhe vajzën e tij dhjetëvjeçare, Janën. Trupi i tij u identifikua nga gruaja dhe nëna e tij, përpara se të dërgohej për autopsi.
Kush ishte Andrej Gorgievski?
I lindur dhe rritur në Shkup, Andrej Gorgievski ishte një nga figurat kryesore të muzikës hip-hop maqedonase. Ai e themeloi DNK në fillim të viteve 2000 së bashku me Vladimir Blažev (Panço), i cili i mbijetoi zjarrit por ndodhet në spital me djegie të rënda.
Gorgievski ishte autor i shumë hiteve të DNK, një grup i njohur për temat sociale, miqësinë dhe dashurinë në tekstet e tyre. Disa nga këngët më të njohura të grupit janë Fala, Ako utre me nema, Srce, Amajlija dhe Romani.
Këngëtarja e njohur maqedonase Kaliopi i kushtoi një postim prekës në rrjetet sociale: “Andrej… Zemra ime po copëtohet. Humanizmi yt shkëlqeu edhe në çastet e fundit, duke shpëtuar jetë. Nuk duhej të ishte kështu… Ndihem e pikëlluar dhe e zemëruar”.
Tragjedia preku edhe anëtarë të tjerë të grupit DNK. Përveç Andrejit, u konfirmua vdekja e tastieristit Filip Stefanovski, kitaristit Aleksandar Kolarov, bateristit Gorđi Gorđiev dhe vokalistes mbështetëse Sara Projkovska. Mes viktimave ishin gjithashtu beatboxeri Martin Atanasovski (Martin Buco) dhe Igor Velkov, një tjetër baterist i grupit.
Me 500 persona të pranishëm në klubin “Pulse” në momentin e zjarrit, autoritetet po hetojnë shkaqet e tragjedisë, ndërsa vendi po vajton humbjen e disa prej artistëve më të dashur të skenës muzikore maqedonase.
Kush ishte këngëtari maqedonas që vdiq duke shpëtuar të tjerët nga zjarri në diskotekën e Koçanit? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.