
Personazhi i njohur në rrjetin social TikTok, Sahar Khorram, e cila përmes llogarisë sistalkwithsahar ndan përditshmërinë e saj me ndjekësit, ka rrëfyer përvojën e saj të hidhur me disenjatorin e njohur kosovar, Valdrin Sahiti, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një video të publikuar dy ditë më parë, Sahar ka thënë se posa ka parë fustanet e Sahitit të cilët janë viral gjithandej në rrjete sociale, ka vendosur që dy nga katër fustanet e saj të martesës t’i realizojë tek ai.
Që nga fillimi i komunikimit me stafin e Valdrin Sahitit, influencerja e njohur thotë se i është premtuar që fustanet do të arrijnë tek ajo më 5 gusht, tri javë para ditës së dasmës. Por kjo nuk u realizua.
Sahar thotë se ndodhet në situatën më të keqe që mund të ndodhet një nuse një javë para dasmës dhe për gjithë këtë fajëson disenjatorin Sahiti.
“Të merresh me këta njerëz tash e një muaj e gjysmë ka qenë e tmerrshme dhe ata janë përgjegjës për disenjimin e dy fustaneve të mia. Është një javë para dasmës dhe nuk janë ende këtu”, thotë ajo.
“I kam kontaktuar këta njerëz më 1 qershor dhe i kam pyetur nëse fustanet do të jenë gati në fund të korrikut, dasma ime do të jetë fundjavën e 30 gushtit dhe 1 shtatorit dhe kam menduar se do kem një muaj të tërë që nëse diçka shkon keq, sepse gjithmonë llogaris për diçka që mund të shkojë keq. Ata më thanë se nuk mund të m’i dërgojnë fustanet deri më 5 gusht. Thashë “e di çfarë? Është në rregull, janë ende tri javë kohë dhe për aq kohë që i marr më 5 gusht, jam mirë”, rrëfen Sahar.
Sipas saj, një javë para datës 5 gusht, asaj i është thënë se ende nuk janë gati dhe që atëherë, ajo thotë se nuk i kanë kthyer mesazhet dhe stafi i Valdrin Sahitit e kanë gënjyer, kanë manipuluar dhe janë sjellë keq me të.
“Është 23 gushti sot dhe unë nuk e kam asnjë nga fustanet”, thotë ajo.
Sipas saj, pasi i ka kontaktuar, ata kanë filluar që të punojnë në fustanet e saj, teksa më tej rrëfen edhe gjithë përvojën për mënyrën e transportit të fustaneve, për çka thotë se pagoi shtesë qindra dollarë për ‘postë të shpejtë’, por sërish fustanet nuk arriti që t’i marrë.
“Ata më dërguan një link. Ishte 400 dollarë. U shkruaj dhe iu them kjo është çmenduri, pse duhet të paguaj kaq shumë, ju duhet të mbuloni një pjesë të kësaj. Ata s’më kthyen mesazhet, por në një mënyrë kanë mbajtur peng fustanet e mia duke thënë paguaj ose neve s’na intereson”, thotë Sahar, teksa tregon se pagoi 400 dollarët që fustanet t’i arrijnë më shpejt, por sërish kjo nuk ndodhi.
Sahar më tej thotë se mban përgjegjësi për ato që thotë dhe si avokate e di që mund të përballet me padi në rast shpifje, por insiston se gjithçka është e vërtetë dhe për këtë posedon edhe ‘screenshots’.
“Jemi një javë përpara, do të shkoj në destinacionin e dasmës, nuk i kam parë fustanet, nuk e di si duken, nuk e di nëse më bien taman. Disenjator i mrekullueshëm, isha shumë e emocionuar. Nuk do të punoj kurrë me ta. Jeni njerëz të djallëzuar. I keni shmangur thirrjet e mia, s’më keni kthyer përgjigje në mesazhet e mia, keni qenë të pasjellshëm me mua, juve nuk iu intereson për asgjë tjetër përveç parave”, thotë Sahar.
@sistalkswithsahar Sharing this so that no one else ends up in my position @valdrinsahiti ♬ original sound – Sahar Khorram
Më tej ajo ka mbajtur të informuar ndjekësit e saj se është kontaktuar nga stafi i Valdrin Sahitit dhe i është kërkuar që të largojë videon dhe do ta kompensojnë për fustanet.
“Por unë nuk do e bëj atë sepse ku ka qenë e gjithë kjo energji para se të postoja në rrjete sociale? Keni bërë çka keni bërë, kam thënë çka kam thënë dhe në këtë pikë ne do t’i qëndrojmë kësaj”, ka thënë ajo.
@sistalkswithsahar♬ original sound – Sahar Khorram
Sahar gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se ka marrë dy fustanet e disenjuara dhe të qepura nga Valdrin Sahiti, por që sipas saj, ata janë realizuar për dy trupa komplet të ndryshëm, ani pse kishin masat e saj të trupit.
@sistalkswithsaharMy dress saga chapter 925.♬ original sound – Sahar Khorram
@sistalkswithsahar We are almost at the end of the road thanks to @Dieylane Cisse ♬ original sound – Sahar Khorram
“Kam kaluar gjithë ditën duke qarë”, influencerja e njohur në TikTok rrëfen përvojën e keqe me Valdrin Sahitin / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.