Reperi i njohur shqiptar, Feronit Shabani, i njohur me emrin artistik Fero, ka bërë një thirrje publike për ndihmë, duke zbuluar se është duke kaluar një periudhë të vështirë emocionale dhe është në depresion të rëndë.
Përmes një shkrimi të publikuar në InstaStory, Fero ka kërkuar ndihmën e mediave vendore për ta mbështetur në një çështje të rëndësishme, që dëshiron ta bëjë publike.
Ai thekson se po përballet me një padrejtësi që, sipas tij, po i bëhet nga organet e drejtësisë.
“I thërras të gjitha mediat që të më lajmërohen sepse jam në shqetësim të madh, është duke më u bërë një padrejtësi shumë e madhe prej organeve të ligjit zbatues më saktësisht Gjykatës së Gjilanit. Jam i thyer emocionalisht shumë dhe jam në depresion të rëndë”, ka shkruar reperi nga Gjilani në mesazhin e tij.
Më vonë, ai përmes një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Compass”, duke kërkuar ndihmë dhe duke shprehur shqetësimin për gjendjen e tij psikologjike dhe situatën e vajzës së tij.
Sipas tij, ka ndodhur një ngjarje shqetësuese, pasi vajza e tij thotë se është “kidnapuar” nga institucionet përgjegjëse.
Fero deklaroi se Enti Social e kishte njoftuar që të shkonte për të marrë vajzën në orën katër pasdite, por kur arriti në vendin e caktuar, nuk iu dha asnjë informacion për vendndodhjen e vajzës.
“Unë, si prind, po përjetoj padrejtësi të mëdha. Ka kohë që nuk më respektohen vendimet gjyqësore dhe nuk më lejohet të shoh vajzën time. Vajza udhëton në shtete të ndryshme pa lejen time, pa më informuar ku ndodhet. Sot, më është thënë se vajza ka ikur dhe nuk po marr asnjë informacion për të”, tha Fero.
Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për gjendjen e tij emocionale, duke thënë se padrejtësitë që po përjeton e kanë shtyrë në një situatë të rëndë. Fero shpjegoi se ka frikë të flasë hapur për ato që po përjeton, nga frika se prokuroria mund të hakmerret dhe t’i heqë edhe ato pak ditë që i ka për të parë vajzën e tij.
“Po bëj një thirrje për Prokurorinë e Gjilanit, veçanërisht për prokuroren që e ka rastin tim. Nuk po di si ta shpjegoj ndryshe që jam në një gjendje shumë të rëndë. Çka ndodh nëse unë nesër nuk mund t’i kontrolloj emocionet e mia?”, përfundoi ai me shqetësim.
“Jam i thyer dhe në depresion të rëndë”, Fero kërkon publikisht ndihmë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.