Koncerti “Faleminderit Mërgatë” në kuadër të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, i cili po mbahet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë është koncerti i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e që disa nga emrat e mëdhenj të estradës do të argëtojnë qytetarët e pranishëm.

E për mërgatën artistët si, Luiz Ejlli, Dafina Zeqiri, Mc Kresha dhe Lyrical Son, si dhe Fisnikët kanë vendosur që performanca e tyre të jetë pa pagesë.

Kështu thonë për Gazetën Online Reporteri.net nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Nga kjo Ministri kanë deklaruar se artistët do të performojnë pa asnjë pagesë, si shenjë respekti ndaj kontributit të mërgatës në çlirimin e pavarësimin e Kosovës.

“Ju njoftojmë se të gjithë këngëtarët, të cilët do të performojnë sonte në mbrëmje në sheshin “Skënderbeu” në koncertin e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës “Faleminderit Mërgatë“ kanë ardhur që të performojnë pa asnjë pagesë, duke dashur në këtë mënyrë t’i bashkohen respektit të jashtëzakonshëm ndaj kontributit të mërgatës në çlirimin, pavarësimin dhe ndërtimin e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Reporteri.net.

Se do të performojë pa pagesë në koncertin për mërgatën që po mbahet në shesh, e konfirmoi edhe menaxheri i Luiz Ejllit, Jetmir Agaj.

Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, Agaj thotë se jo vetëm sonte, por edhe në organizimet tjera që janë publike, të organizuara nga komunat, Luizi ka kënduar me gjithë dëshirë, pa ndonjë lloj pagese.

Madje ai këtu përmendi edhe rastin e fundit, ku Ejlli performoi në Skenderaj, javën e kaluar, koncert ky po ashtu në nder të mërgatës.

“Luizi është pjesëmarrës në këtë koncert pa pagesë. Në këto organizimet komunale, që janë publike, ne kemi pranuar të jemi “for free”, madje këtu vlen të përmendet dhe ai i fundit që ishte në Skënderaj ku këndoi Luizi. Edhe atje ka kënduar pa pagesë”, tha Agaj për Reporteri.net.

Koncerti “Faleminderit Mërgatë” ka nisur qysh në ora 18:00 dhe do të vazhdojë deri në ora 23:00.

/Reporteri.net/

Dafina, Luizi e artistët tjerë – a u paguan nga Ministria e Diasporës për koncertin në shesh? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version