
Një pacient australian është bërë personi i parë në botë që largohet nga spitali me një lloj të ri zemre artificiale.
40-vjeçari nga New South Wales, i cili i mbijetoi një ataku kardiak, mori implantin në nëntor gjatë një operacioni gjashtë-orësh në Spitalin St. Vincent në Sidnei. Pas disa javësh qëndrimi në repartin e terapisë intensive, pasuar nga një periudhë shtesë nën mbikëqyrje në repartin e përgjithshëm, ai doli nga spitali muajin e kaluar.
Zemra artificiale, e bërë nga titani, është zhvilluar nga kompania e teknologjisë mjekësore BiVACOR. Ai është krijuar për të mbajtur pacientët në jetë derisa të gjendet një donator i përshtatshëm. Një zemër donatore iu gjet australianit në fillim të marsit dhe ai iu nënshtrua një transplanti pas më shumë se njëqind ditësh, që është periudha më e gjatë që një pacient ka jetuar me një zemër plotësisht artificiale jashtë mbikëqyrjes spitalore.
Kjo pajisje përdor një pompë për të kryer funksionet kryesore të zemrës dhe shpikësi i saj, shkencëtari australian Dr. Daniel Timms, tha se ishte krenar që shihte përparimin e teknologjisë.
“Të jesh në gjendje të sjellësh Australinë në këtë proces dhe të marrë pjesë në provat e para klinike është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua dhe diçka për të cilën jam përpjekur që nga fillimi,” tha Tims.
“I gjithë ekipi i BiVACOR është thellësisht mirënjohës për pacientin dhe familjen e tij për besimin e tyre në Zemrën tonë Artificiale Totale. Guximi i tyre do t’i hapë rrugën shumë pacientëve të tjerë që të marrin këtë teknologji që shpëton jetë,” shtoi ai.
Dr Paul Jans nga Spitali St Vincent në Sidnei, i cili ishte pjesë e ekipit të kirurgëve, e përshkroi pjesëmarrjen në këtë procedurë novatore si një privilegj.
“Dështimi i zemrës merr pothuajse 5000 jetë në Australi çdo vit. Ne kemi punuar për këtë për vite dhe jemi jashtëzakonisht krenarë që jemi ekipi i parë në Australi që e kryen me sukses këtë procedurë,” tha Jans, sipas 9News .
Më shumë se 23 milionë njerëz në mbarë botën përjetojnë një atak në zemër çdo vit , por vetëm rreth 6,000 gjejnë një zemër donatore, sipas të dhënave nga qeveria australiane, e cila ka ndarë 50 milionë dollarë për projektin e zemrës artificiale.
Qëllimi afatgjatë i këtij projekti është që implanti BiVACOR t’i mundësojë pacientit të jetojë me të, pa pasur nevojë për transplant zemre./TheGuardian/
Zemra e re artificiale kalon testin, australiani jeton 100 ditë me pompë titani / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.