Si e ndryshoi Danimarka dietën dhe shëndetin e popullsisë së saj
Dreka në Kopenhagen ofron shumë larmi ushqimore. Opsionet si mishi i derrit të pjekur ngadalë me elb dhe kërpudha ose petullat me thekër dhe salmon, krem djathi dhe avocado, tundojnë këdo. Megjithatë, ky nuk është thjesht një restorant në modë – është mensa e punës në DSB (Hekurudha Shtetërore Daneze), ku kuzhinierët u shërbejnë 900 punonjësve çdo ditë. Fokusi këtu është te pjatat e shëndetshme, të pasura me drithëra integrale, nga smoothie-t e mëngjesit deri te makaronat me miell integral, si pjesë e një nisme kombëtare, që synon të rrisë sasinë e të udhqyerit me drithëra integrale te punëtorët.
Partneriteti Danez i Drithërave Integrale, i cili përfshin qeverinë, OJQ-të e shëndetësisë (Shoqëria Daneze e Kancerit, Fondacioni Danez i Zemrës dhe Shoqata Daneze e Diabetit) dhe industrinë (bukëpjekës, kompani ushqimore, supermarkete), po udhëheq këtë nismë për të përmirësuar shëndetin përmes drithërave integrale. Që kur filloi në vitin 2008, konsumi mesatar i drithërave integrale në Danimarkë u rrit nga 36 g në 82 g në ditë deri në vitin 2019, më i larti në Europë. Në krahasim, britanikët konsumojnë mesatarisht ha 20 g, dhe në SHBA, vetëm 15% e konsumit të drithit janë drithëra integrale.
Drithërat integrale ndihmojnë në uljen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit, diabetit të tipit 2 dhe hipertensionit, ulin kolesterolin, stabilizojnë sheqerin në gjak dhe përmirësojnë shëndetin e zorrëve. Ato gjithashtu i bëjnë njerëzit të ndihen më të ngopur, gjë që mund të ndihmojë në parandalimin e obezitetit. Danimarka ka disa nga normat më të ulëta të obezitetit në Europë. Drithërat e njohura përfshijnë grurin, elbin, orizin, thekrën, tërshërën, melin dhe misrin. Së shpejti kategoria mund të përfshijë ‘pseudo’ drithëra si quinoa dhe hikërr.
Nisma filloi si një përgjigje ndaj dietës Atkins, e cila çoi në një rënie në shitjet e bukës. Ndërkohë që u zbulua se drithërat integrale reduktojnë rreziqet e kancerit dhe Partneriteti i Drithërave Integrale prezantoi një logo portokalli për produktet me përmbajtje të lartë drithërash. Deri në vi
tin 2019, 1,097 produkte mbanin këtë logo, dhe një studim i vitit 2024 zbuloi se 70% e danezëve e njihnin atë. Kjo logo ka inkurajuar konsumatorët të zgjedhin drithërat integrale dhe prodhuesit gjithashtu kanë përfitime. Një raport i OECD-së i vitit 2022 zbuloi se këto produkte me drithëra integrale nuk janë më të shtrenjta se homologët e tyre me drithëra të përpunuara.
Qeveria e ka mbështetur nismën duke përditësuar udhëzimet zyrtare dietike. Në vitin 2009, rekomandoi katër racione me drithëra integrale në ditë. Në vitin 2013, vendosi një objektiv më specifik prej të paktën 75 gram në ditë, dhe në qershor të vitit të kaluar ai u rrit në 90 gram.
Në Lantmännen Schulstad, prodhuesi më i madh i bukës së thekrës në Danimarkë, po prezantohen forma dhe përmasa të reja bukësh për të tërhequr konsumatorët e rinj. Buka e thekrës është bazë ushqimore daneze për më shumë se 1000 vjet tashmë. Katër feta të vogla bukë thekre plotësojnë kërkesat ditore për drithëra integrale, krahasuar me 50 simite me bukë të bardhë.
Partneriteti gjithashtu inkurajon prodhuesit, që të shtojnë sasi të vogla mielli integral edhe tek buka e bardhë. Këto rritje graduale (nga 3% në 5%, 7% ose më shumë) i ndihmojnë njerëzit të konsumojnë më shumë drithëra integrale, pa ndryshime të dukshme në shije. Kjo qasje synon 6% të danezëve që konsumojnë më pak se 25 g drithëra integrale në ditë.
Partneriteti i Drithërave Integrale organizon ngjarje vjetore si Dita Kombëtare e Grurit për të rritur ndërgjegjësimin si dhe aktivitete të tjera. Në ditën kombëtare të grurit të plotë në janar, ka aktivitete të tilla si gatim, pjekje, këngë dhe lojëra në shkolla, biblioteka dhe spitale. Supermarketet kanë oferta speciale për produktet me drithëra integrale.
Nisma e Danimarkës është e njohur ndërkombëtarisht, ku OECD dhe BE i kanë dhënë statusin e ‘praktikës më të mirë për përmirësimin e shëndetit publik’. Raporti i OECD vuri në dukje se rritja e konsumit të drithërave integrale ndihmon në uljen e rrezikut të kancerit, diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.
Ndryshimi i zakoneve kombëtare të të ushqyerit është sfidues. Natasha Selberg e Shoqatës Daneze të Zemrës thekson rëndësinë e partnerëve të industrisë të cilët mund të rrisin disponueshmërinë e drithërave integrale dhe të riformulojnë recetat. Qëllimi është të vihen në dispozicion zgjedhje të shëndetshme në çdo supermarket dhe restorant. Në Kopenhagen, logo e drithërave integrale është e dukshme në furra buke, supermarkete dhe restorante e mensa, duke e bërë të lehtë për konsumatorët të zgjedhin ushqime më të shëndetshme.
Rikke Neess, drejtuesja i fushatës thekson fuqinë e bashkëpunimit: “Kur punojmë së bashku, ne mund të bëjmë një ndryshim të vërtetë”. Modeli i partneritetit publik-privat të Danimarkës ka qenë çelësi i suksesit të saj dhe Selberg shton se është i rrallë në Europë, ku politika shpesh kufizon një bashkëpunim të tillë.
Danimarka po udhëheq gjithashtu përpjekjet për të reduktuar konsumin e mishit, me planin e saj të veprimit të ushqimit me bazë bimore. Në tetor 2023, vendi hartoi planin e parë në botë të veprimit për ushqimin me bazë bimore, një marrëveshje thuajse e pamundur midis fermerëve, politikanëve dhe grupeve mjedisore, që synon reduktimin e konsumit të mishit për arsye mjedisore dhe shëndetësore. Drithërat integrale janë një pjesë e kësaj – ato ngopin, por kërkojnë shumë më pak ujë, tokë ose energji për t’u prodhuar, si dhe kanë një gjurmë të ulët karboni në krahasim me mishin dhe bulmetin. Megjithatë, vetëm 25% e danezëve janë të vetëdijshëm për këtë përfitim mjedisor.
Partneriteti po përhap mesazhin e tij ndërkombëtarisht. Është pjesë e Aleancës së Drithërave Integrale, që synon të rrisë konsumin e drithërave integrale në Afrikë dhe është zgjeruar në Gjermani, Japoni dhe Suedi. Në Samitin Ndërkombëtar të drithit integral të vitit 2024, ekspertët mbrojtën zëvendësimin e drithërave të rafinuara me drithëra integrale.
Neess këshillon vendet e tjera që të fillojnë pak nga pak: “Rritni gradualisht përmbajtjen e drithërave integrale në produktet ushqimore”. Ajo sugjeron të piqni ëmbëlsira me 25% miell integral ose të bëni lazanja pjesërisht me makarona gruri integrale. Në shtëpi, kalimi te mielli me integral është një mënyrë e thjeshtë për të rritur sasinë e konsumuar.
Në Kopenhagen, opsionet me drithëra integrale janë lehtësisht të disponueshme, nga tërshëra deri te buka me thekër dhe makarona me miell integral. Këto vakte e mbajnë njeriun të ngopur dhe me energji, duke dëshmuar se drithërat e shëndetshme janë edhe ushqyes edhe të shijshme. / The Guardian
Revolucioni i drithërave integrale në Danimarkë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.