Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka dhënë informacione dhe rekomandime për Ethet Hemorragjike Krime Kongo, përcjell Reporteri.net.
IKSHPK-ja thotë se po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike në vend lidhur me Ethet Hemorragjike Krime-Kongo (EHKK) dhe do të vazhdojë mbikëqyrjen dhe hulumtimin epidemiologjik të gjitha vatrave dhe zonave endemike, karakteristike për këtë infeksion viral.
“Duke qenë se me ngritjen e temperaturave rritet mundësia e pickimit nga rriqrat që janë bartëse të virusit që i shkakton Ethet Hemorragjike, IKSHPK në bashkëpunim me institucionet e tjera të nivelit qendor dhe lokal, do të ndërmarrë masat profillaktike dhe kundërepidemike për të parandaluar epidemi të EHKK”, njofton IKSHPK.
Pavarësisht faktit se që nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal me EHKK pasi janë realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, institucionet e tre niveleve të kujdesit shëndetësor duhet të bëjnë me kohë përgatitjet me që bëhet fjalë për një sëmundje endemike, por edhe vdekjeprurëse.Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet thirrje që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, por edhe në zonat e tjera, pasi që temperaturat kanë filluar të ngriten dhe rriqrat dalin në sipërfaqe të tokës.
Laboratoret e IKSHPK-së ndërkaq, IKSHPK thotë se janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK.
IKSHPK u rekomandon qytetarëve:
Të mos qëndrojnë pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre;
Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, të vishen me rroba të gjata dhe pantallonat të futen në çorapë;
Të lyejnë pjesët e trupit, sidomos pjesët e zbuluara si shuplakat dhe qafën me preparate të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut;
Të kontrollojnë trupin pas qëndrimit në vatra endemike si dhe pas kthimit nga punët në fusha/livadhe, ara apo vendet me shkurre;
Nëse u ngjitet ndonjë rriqër në trup, të shkojnë sa më parë në qendrën më të afërt mjekësore për heqjen e saj dhe marrjen e ndihmës shëndetësore;
Të kositet në vazhdimësi bari në oborre e livadhe;
Të bëhet dezinsektimi selektiv i hapësirave në vendet endemike (shkurret, kaçubat, djerrinat dhe livadhet e pakositura të lëna djerrë);
Të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i stallave në vazhdimësi;
Të mbahet higjiena personale në nivelin më të lartë.
IKSHPK bën thirrje te qytetarët që të kontribuojnë në përmirësimin e ekosistemit që nënkupton:
Të punohen të gjitha tokat e punueshme;
Të kositen livadhet me kohë dhe nga disa herë;
Të pastrohen kopshtet dhe pronat përrreth shtëpiveTë pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve;
Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë, ku nuk duhet të lihen këmbët e zbathura
Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pa kositura dhe në mbrëmje të kontrollohen (nga prindërit) për praninë ose jo të rriqrave në trupin e tyre.
Personat e pickuar nga rriqrat duhet të trajtohen në qendrat e Mjekësisë familjare në komunat përkatëse, ndërsa sipas nevojës, ata referohen për trajtime në repartet infektive të spitaleve të përgjithshme dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Trajtimi i Etheve Hemorrgajike bëhet përmes terapisë mbështetëse, me antiviral si Ribavirina dhe imunoterapi pasive.
Pickimi nga rriqrat që çojnë drejt virusit që shkakton Ethet Hemorragjike, IKSHPK del me rekomandime / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.