Qoftë i tymosur në mënyrë rekreative, i konsumuar si produkt medicinal apo edhe i marrë nën mbikëqyrje në studime eksperimentale, kanabisi mund të ketë një “efekt anësor” të rëndësishëm në tru.

Sipas një analize të re, të gjerë të publikuar në revistën “Nature Mental Health”, një në 200 njerëz mund të përjetojë një episod psikoze pas përdorimit të produkteve të kanabisit.

Analizë e gjerë

Mbi 160 studime dhe më shumë se 200 mijë njerëz u analizuan nga autorët për të arritur në një verdikt të mbështetur sa më shumë nga të dhëna solide: deri më tani asnjë kërkim nuk ishte përpjekur të bashkonte të dhënat shumë heterogjene të shumë studimeve që trajtuan këtë temë dhe të cilët deri më tani kanë treguar shkallë të psikozës që variojnë nga 1 deri në 70 për qind te përdoruesit e produkteve të kanabisit.

Analiza e re, në një numër shumë të madh që krahason gjithashtu njerëz dhe kontekste të ndryshme përdorimi, tregon një rrezik të episodeve të psikozës me paranojë dhe halucinacione prej rreth 0.5 për qind për këdo që përdor kanabis në çdo kapacitet, madje edhe si përdorim i kontrolluar në studimet klinike eksperimentale.

Me fjalë të tjera, një në çdo 200 persona që kanë përdorur kanabis, vuan një gjendje psikoze, pavarësisht nga forma e produktit dhe mënyra e përdorimit.

Megjithatë, ka dallime: studimet vëzhguese, të kryera shpesh për përdorim rekreativ, raportojnë një probabilitet të psikozës prej 19-21%; në studimet që kanë vlerësuar përdorimin e kanabisit si ilaç, shkalla e psikozës është më e ulët, por gjithsesi domethënëse, e barabartë me 2 për qind.

Të rinjtë dhe gratë

Hulumtimi nuk vërteton lidhjen midis probabilitetit të psikozës dhe pranisë së dy gjeneve specifike të treguara në studimet e mëparshme, por konfirmon se si disa elementë mund të rrisin ndjeshëm rrezikun.

Për shembull, probabiliteti i psikozës dyfishohet me përdorimin rekreativ të produkteve të fuqishme të kanabisit, me përqendrime të larta të substancave psikoaktive.

Rreziku rritet edhe tek femrat, tek të rinjtë dhe tek ata që tashmë kanë probleme psikiatrike si çrregullimi bipolar.

Sa më i shpeshtë përdorimi, aq më i madh është rreziku i shfaqjes së psikozës afatgjatë dhe autorët shkruajnë se “rreziku i simptomave akute të ngjashme me psikozën pas ekspozimit ndaj kanabisit ekziston, pavarësisht se si është përdorur”.

Paralajmërimi

Ky është një fakt alarmant në Shtetet e Bashkuara, ku kohët e fundit është kërkuar nevoja për të dekurajuar sa më shumë përdorimin e derivateve të kanabisit tek të rinjtë, diçka që ende nuk ka ndodhur.

Një hetim i kryer për ligjet e 19 shteteve federale, të cilat kanë legalizuar kanabisin për përdorim mjekësor në tetor 2022 (tani janë 38, plus Distrikti i Columbias), nënvizoi për shembull se ka shumë pak ndalime për reklamat, shitjen e llojeve të produkteve që mund të tërheqin të rinjtë (si ato për “vaping” ose për të ngrënë, shumë tërheqëse veçanërisht për të rinjtë), shitjet online ose dërgesat në shtëpi, të cilat nxisin konsumimin nga adoleshentët.

“Përpjekjet për t’i bërë disa medikamente më të aksesueshme dhe të disponueshme për të rriturit, nuk duhet të rrezikojnë shëndetin dhe mirëqenien e të rinjve, të cilët tashmë po përballen me sfida të pashembullta në lidhje me shëndetin mendor dhe abuzimin me substancat”, – përfundoi autorja e hetimit, Linda Richterm nënkryetare e organizatës jo-qeveritare të Partneritetit të SHBA-ve, për t’i dhënë fund varësisë nga përdorimi i drogës.

Përdorimi i kanabisit rrit rrezikun e psikozës, veçanërisht tek të rinjtë dhe gratë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version