Nënshkruhen në 7:00 të mëngjesit, kur nis punën ndërrimi i parë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe rikthehen për t’u nënshkruar sërish në orën 14:00, kur e përfundon orarin, shkruan Radio Evropa e Lirë. 

Kjo është “puna” që bëjnë dy toksikologët e QKUK-së, Pëllumb Islami dhe Demush Bajraktari, për më shumë se tre vjet.

Të vetmit specialistë në toksikologji brenda QKUK-së, ata pranojnë se nuk e ushtrojnë funksionin e tyre, por thonë se nuk kanë kushte.

Klinika e Biokimisë, ku janë të punësuar, nuk ka laborator të veçantë për trajtimin e rasteve toksikologjike.

“Nuk kemi zyrë, nuk kemi kompjuterë dhe laboratori mungon në tërësi. Në mungesë të këtyre [gjërave], është e pamundur të zhvillohet puna e specialistit të toksikologjisë”, thotë Islami për Radion Evropa e Lirë.

Ngjashëm pohon edhe kolegu i tij, Bajraktari, dhe shton se kërkon mbështetje nga menaxhmenti për të funksionalizuar shërbimin e toksikologjisë.

Udhëheqësit e Klinikës së Biokimisë thonë se Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës – me të cilin dy toksikologët kanë nënshkruar kontratë – është i njoftuar me mosangazhimin e tyre.

“Dy kolegët nuk kontribuojnë asgjë, veç vijnë dhe nënshkruhen”, thotë drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Islami dhe Bajrakari kanë nënshkruar kontratë pune me SHSKUK-në në mars të vitit 2021 dhe që nga ajo kohë marrin pagë prej më shumë se 1.200 eurosh në muaj.

“Ata duhet të angazhohen diku, që ta arsyetojnë pagën, [sepse] kjo është zhvatje klasike e buxhetit. Ma merr mendja që edhe ata vetë nuk e ndiejnë veten mirë. Marrin pagë sikur kolegët që punojnë me orë të tëra e me fluks të madh [pacientësh]”, thotë Veseli.

Ai shton se, nëse Biokimia nuk ka kushte tash për tash, janë klinikat e tjera, si ajo e Gastroenterologjisë, Psikiatrisë apo Emergjente, që kanë nevojë për toksikologë.

Veseli thotë se SHSKUK-ja është njoftuar për gjendjen në fillim të këtij viti.

Në emailin e dërguar prej tij, të cilin e pa REL-i, shkruante:

“Ky veprim [i toksikologëve] është zhvatje e buxhetit tonë dhe krijon pakënaqësi te kolegët. Andaj, kërkojmë që ata të risistemohen”.

Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, thotë se “do të veprojë duke u bazuar në ligjet në fuqi”.

Ai ka marrë detyrën më shumë se një vit më parë dhe thotë se, deri vonë, nuk ka qenë në dijeni për rastin e tyre.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Azizi thekson se, në kuadër të planit të punës për këtë vit, është ndarë buxheti për ndërtimin e laboratorit të toksikologjisë – për herë të parë në Kosovë.

“Deri kur të bëhet gati ky laborator, ata specialistë do të caktohen në detyra të tjera. Ne do ta analizojmë këtë çështje me personat kompetentë dhe do të veprojmë konform bazës ligjore në fuqi”, thotë Azizi, pa dhënë ndonjë afat kohor apo detaj tjetër.

Radio Evropa e Lirë bisedoi edhe me ish-drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i cili i ka nënshkruar kontratat me toksikologët në fjalë, por ai tha se “nuk i kujtohet koha kur janë nënshkruar ato”.

“Sigurisht që ka pasur kërkesa prej institucioneve për t’u pranuar dhe, me sa më kujtohet, ka qenë çështja për sistemimin e tyre për emergjencë… A kanë punuar apo a punojnë tash… nuk e di. Ata duhet t’i raportojnë dikujt”, tha Krasniqi, pa specifikuar se për cilat institucione e ka fjalën.

“Jam pranuar me meritë”

Bajraktari thotë se në pozitën e specialistit të toksikologjisë është pranuar në mënyrë meritore, pasi ka aplikuar në konkurs publik.

Në kontratë thotë se vendi i punës i është caktuar në Klinikën e Biokimisë.

Ai thotë se ka kërkuar vazhdimisht nga udhëheqja e QKUK-së “detyra dhe përgjegjësi shtesë”.

“Marrë parasysh se shërbimi i toksikologjisë nuk ka qenë i themeluar dhe nuk ka pasur kushte të ushtrimit të profesionit – në kuptim të analizimit të mostrave për teste toksikologjike – sigurisht se kemi hasur në vështirësi”, thotë Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

“Por, gjatë kësaj periudhe, jam angazhuar maksimalisht në definimin e procesit që ka të bëjë me themelimin e shërbimit toksikologjik në QKUK – në mënyrë që ky shërbim të funksionalizohet sa më parë – duke analizuar dhe përgatitur akte dhe udhëzime që kanë të bëjnë me shërbimin e toksikologjisë”, shton ai.

Kolegia e tij, Fitore Komoni, e cila udhëheq Klinikën e Gastroenterologjisë në QKUK, thotë se nuk e di që ky institucion ka toksikologë.

“Klinika e Gastroenterologjisë ka mjaft nevojë për toksikologë, në mënyrë që të vlerësohet shkalla e toksicitetit dhe problematikat tjera te pacientët. Në mungesë të tyre, ne bëjmë ekzaminime të tjera dhe e bëjmë vetë vlerësimin e situatës”, thotë Komoni për Radion Evropa e Lirë.

Në Klinikën e Emergjencës thonë, po ashtu, se përpiqen t’i trajtojnë vetë rastet që kanë probleme toksikologjike.

Sipas tyre, brenda dhjetë ditësh në këtë klinikë paraqiten mesatarisht tri raste të tilla.

Derisa këta dy specialistë kanë punë, por s’e ushtrojnë funksionin, QKUK-ja ka mungesa të disa specialistëve të tjerë – sidomos të anesteziologëve – të cilat shpesh bëjnë që pacientët të mbeten në lista të gjata pritjesh.

Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, 160 mjekë kanë marrë të ashtuquajturën certifikatë të pastërtisë etiko-profesionale, që do të thotë se janë larguar nga Kosova, ose janë në proces të largimit.

Sipas kësaj ode, të larguarit – që kryesisht emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian – ankohen për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.

Paga bruto e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 1.200 euro, ndërsa në Gjermani, për shembull, arrin në mbi 4.000 euro.

Përveç stafit, sfida në QKUK shkaktojnë shpesh edhe aparaturat për diagnostikim që nuk punojnë, ose nuk shfrytëzohen, apo barnat që mungojnë, apo keqmenaxhohen.

Paguhen, por nuk punojnë: Dy toksikologët “joekzistentë” të QKUK-së / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version