Mbështetja psikologjike për pacientët me diabet në Kosovë vazhdon të mbetet jashtë fokusit të shërbimeve shëndetësore.
Diabeti është një sëmundje kronike ku trupi nuk mund të prodhojë mjaftueshëm insulinë ose nuk e përdor atë siç duhet. Insulina është një hormon që ndihmon qelizat të marrin glukozën nga gjaku dhe ta përdorin për energji. Pamjaftueshmëria e insulinës bën që të rriten nivelet e glukozës në gjak, kështu duke shkaktuar probleme shëndetësore afatgjata.
Pacientët që përballen me këtë sëmundje kronike përjetojnë jo vetëm sfida fizike, por edhe emocionale.
M.P., veteran i luftës, i diagnostikuar me diabet para dy vitesh, thotë se sëmundja e ka rënduar jo vetëm shëndetin e tij fizik, por edhe atë emocional.
“Kam shumë nevojë për psikolog, por nuk kam pasur mundësi të këshillohem. Diabeti shkakton shumë dëme dhe është thelbësore të kesh mbështetje psikologjike dhe kurajo” thekson ai, duke përmendur edhe mungesën e medikamenteve thelbësore për trajtimin e sëmundjes në spital.
Selvete Osmani, një tjetër paciente me këtë sëmundje që nga viti 2008, flet për sfidat emocionale që diabeti sjell në përditshmëri.
“Stresi është pjesë e përditshmërisë tonë dhe shpesh kalon në ankth. Këshillimi psikologjik është i domosdoshëm, por për fat të keq, kjo ndihmë është e paarritshme në Kosovë”. shpjegon ajo.
Tutje, ajo thekson rëndësinë e mbështetjes emocionale për të përballuar këtë çrregullim metabolik në rritje.
Ekspertët kërkojnë ndërgjegjësim më të madh
Sipas psikologut Arbër Zeka, ndikimi i diabetit në shëndetin mendor është mjaft i ndjeshëm.
“Pacientët shpesh përjetojnë probleme si depresioni, ankthi dhe stresi kronik, të cilat lidhen me përballimin e sëmundjes. Këto vështirësi psikologjike përkeqësohen nga nevoja për të menaxhuar nivelet e sheqerit në gjak, kujdesi i përditshëm dhe frika nga komplikimet afatgjata, si humbja e shikimit apo amputimet”, tha Zeka.
Psikologu Zeka përmend se mbështetja psikologjike është kyçe në menaxhimin e diabetit, por ndërgjegjësimi dhe qasja ndaj shërbimeve mbeten të kufizuara.
“Roli i mbështetjes psikologjike në menaxhimin e diabetit është thelbësor. Ajo ndihmon pacientët të përballen me ndjenjat e pafuqisë, ankthit dhe frustrimit që shoqërojnë menaxhimin e një sëmundjeje kronike. Këshillimi psikologjik dhe terapia mbështetëse janë veçanërisht të dobishme për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe për t’u mësuar pacientëve strategji të menaxhimit të stresit dhe emocioneve”, shtoi ai.
Zeka thekson disa strategji dhe teknika që përdor me pacientët.
“Strategjitë dhe teknikat që përdor për të ndihmuar pacientët me diabet përfshijnë teknika të menaxhimit të stresit, si frymëmarrja e thellë dhe relaksimi progresiv i muskujve. Gjithashtu, mbështes pacientët në zhvillimin e aftësive për përballjen me sfidat, duke i ndihmuar të identifikojnë dhe menaxhojnë mendimet negative që ndikojnë në mirëqenien e tyre emocionale. Përdorimi i teknikave si ‘mindfulness’ dhe terapia kognitive-biheviorale (CBT) janë të dobishme për të reduktuar ankthin dhe për të përmirësuar vetëkontrollin”.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka nisur përpjekjet për të përfshirë shërbime këshilluese motivuese për pacientët me gjendje kronike, por sfidat e mirëmenaxhimit dhe gjithëpërfshirjes vazhdojnë të jenë prezente.
“Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me partnerin AQH dhe strukturat lokale të shëndetësisë, është angazhuar në ri-organizimin e shërbimeve për sëmundjet jo-ngjitëse në Kujdesin Parësor Shëndetësor. Kjo përfshin ofrimin e shërbimeve të ‘Këshillimit Motivues’ për pacientët me gjendje kronike si diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet pulmonare (astma), etj.”, thanë nga MSh në një përgjigje me shkrim.
Më një hulumtim të publikuar nga Shoqata Amerikane e Diabetit thuhet se, personat që përballen me këtë gjendje janë 2-3 herë më të prirur të zhvillojnë depresion në krahasim me ata që nuk kanë diabet.
Mungesa e mbështetjes psikologjike për pacientët me diabet në Kosovë mbetet sfidë serioze / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.