Në Kosovë të mërkurën është regjistruar rasti i parë me virusin “Ethet e Nilit Perëndimor”. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka bërë të ditur se një 59-vjeçar nga Fushë-Kosova është prekur nga virusi.
Virusi i Nilit është i zakonshëm në rajone të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën, Evropën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut. Por ka shpërthyer ditëve të fundit. Në Serbi dhe Greqi gjendja është më emergjente. Raste fatale me virusin ka pasur në Shqipëri. Ndërkohë janë prekur edhe Rumania e Hungaria.
IKSHPK-ja thotë se format më të rënda të këtij virusi paraqiten vetëm te 1 për qind e pacientëve të infektuar.
Sipas IKSHPK-së, 80 për qind e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma fare ndërsa 19 për qind shfaqin simptoma të lehta deri mesatare, të ngjashme me gripin si ethe, dhimbje koke, lodhje, dhimbje trupi, dhimbje të kyçeve, vjellje, dhimbje në sy e skuqje të lëkurës.
Rreth 1 për qind e rasteve kanë simptoma më të rënda, që mund të përfshijnë encefalit (inflamacion i trurit), meningjit (inflamacion i membranave rreth trurit dhe palcës kurrizore) dhe paralizë.
Disa raste mund të jenë fatale, sidomos te personat e moshuar apo me sistem imunitar të dobësuar.
Parandalimi i infektimit me virus përfshin përdorimin e ilaçeve kundër insekteve, duke veshur këmisha dhe pantallona më mëngë të gjata, vendosja e rrjetave në dyer dhe dritare të shtëpive për të parandaluar hyrjen e mushkonjave e duke shmangur kontaktin me duar të zhvezhura kur trajtohen shpezë apo kafshë të ngordhura.
Çka është virusi i Nilit dhe si të mbrohemi? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.