
Jo vetëm në Kosovë, por në secilin prej rasteve të dekadave të fundit, është menduar se shtetndërtimi është procesi i nxjerrjes së dokumenteve kushtetuese, miratimit të ligjeve dhe themelimit të institucioneve. Mirëpo, shtetet nuk bëjnë shoqëri, por shoqëritë bëjnë shtete. Prandaj së pari do duhej shëruar populli nga plagët e së kaluarës që dhimbja e brendshme të mos e përcjellë, dhe si shkak i saj të mos marrë vendimet e gabuara apo në rastin më të keq, të mos dimë fare sesi duhet të vendosim.
Përderisa shkruan për politikanin e lindur, Robert Greene e thekson, se ai zgjedhë për t’i ofruar popullit atë që i ka munguar, të kthehet në shpresën e munguar apo t’i dhurojë vëmendjen që nuk e ka pas ndonjëherë. Mirëpo në rastin e votuesit kosovar kjo teori nuk pi ujë. Votuesi kosovar nuk zhgënjehet kur me besimin e tij abuzohet, kur pritshmëritë e tij nuk plotësohen dhe kur boshllëku që ka shpresuar të plotësohet, vetëm se thellohet.
Kam lexuar se njerëzit tërhiqen nga të tjerët që janë në të njëjtën frekuencë psikologjike. Prandaj raporti i politikës me votuesin kosovar, sidomos pas zgjedhjeve të fundit, mund të vlerësohet si raport i abuzimit me dhimbjet psikologjike të tij. Votuesi kosovar duket sikur nuk din si të menaxhojë situata me të panjohurën, prandaj zgjedhë të zakonshmen, pavarësisht se ajo është e dhimbshme. Pavarësisht se zgjedhja që ai bën për vite me radhë është e njëjtë dhe rezultati është i pritshëm, pra abuzim me pushtetin në kurriz të qytetarit, për të situata e tillë është e njohur. Votuesi kosovar është i burgosur në të kaluarën e tij, e cila është karakterizuar me dhunë, papërgjegjësi, nënçmim dhe mungesë vlerësimi nga secili që i ka besuar pushtetin.
Në fakt, votuesi kosovar ka frikë të përballet me vetveten, prandaj edhe nuk mund të pritet që ai të përballet me realitetin. Votimi për të është mjeti përmes të cilit arratiset nga përgjegjësia që i takon dhe sikurse fshihet pas politikanit, të cilin e ka votuar, me shpresën se ai do të përballet me ata që dëshirojnë t’a lëndojnë. Pritjet e votuesit kosovar nuk kanë qenë dhe nuk janë që politikani për të cilin ka votuar do t’i ofrojë një jetë më të mirë, sepse ankthi me të cilin ai përballet çdo ditë është “e keqja që do të vjen prej tjetrit”. Shembulli ynë i përngjan atij fëmijës që është viktimë e dhunës nga prindërit dhe frika që i mbillet si shkak i trajtimit të tillë e përcjellë përjetësisht. Kësisoj ai do të jetë i frikësuar nga cilido person tjetër, sepse ndërdija e tij i sinjalizon që në çdo çast edhe tjetri do të reagojë sikurse prindërit të tij të dhunshëm. Mirëpo për çudi, janë po ata prind që ai i zgjedhë për t’u strehuar pas tyre, sepse dhuna e tyre i duket e njohur.
Një person i tillë me kalimin e kohës shkëputet nga vetvetja dhe krijon mekanizmin e mbijetesës, duke zgjedhur që të kënaqë pritshmëritë e të tjerëve dhe t’i përshtatet turmave. Ai nuk ka një vizion për vetën, për jetën dhe të ardhmen. Ai frymon në të tashmen, por secili veprim dhe vendim i tij në të vërtetë është reagim nga përvojat e kaluara. Më e keqja është se mangësitë e tij, ky person i riciklon tek pasardhësit e tij. Kjo pra është formula perfekte për një shoqëri të dështuar, që retardimin e gjeneratave që do të vinë e ka rrënjosur.
As ndryshimi i pushtetit në zgjedhjet e vitit 2019 e as në ato të vitit 2021 nuk del nga kjo mostër. Votuesi kosovar vetëm kishte kuptuar se disa nga abuzuesit nuk ishin të fuqishëm si dikur, prandaj tinëz e bartën votën tek tjetri. Këtë e konfirmojnë zgjedhjet e këtij viti, në të cilat shihet se me partinë që fitoi më së shumti vota i lidhë frekuenca psikologjike, pra urrejtja ndaj pushtetarëve të mëhershme dhe frika nga e keqja që buron prej të tjerëve që në instancë të fundit “janë njerëz të Serbisë”. Nëse shikohen partitë tjera politike, e shohim se vazhdojnë të mbahen të pushtetshëm të njëjtit njerëz.
Rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje është pasqyrim tipik i riciklimit të traumës, sepse votuesit e saj i takojnë gjeneratave më të reja, por mostrën e reagimit, pra parametrin e votimit, e kanë të njëjtë me të gjithë ata që votuan në këto 26 vite. Të tillë ja shohim edhe mbështetësit në publik, të cilët kanë zgjedhur të njëjtën mostër të pasurimit dhe arritjes së një statusi financiar dhe shoqëror, sikurse të gjithë ata që u pasuruan dhe u faktorizuan duke i shërbyer pushtetit në këmbim të favoreve materiale, deri në vitin 2020.
Për fat të keq në shoqërinë tonë, për shkak të rrethanave të tilla, nuk është kuptuar ende se procesi zgjedhor nuk është votë për veten dhe të tashmen, por votë përmes të cilës përcaktohen për të vendosur bazën për shtyllat mbi të cilat do të ndërtohet e ardhmja e gjeneratave që vinë. Vota në Kosovë është mekanizëm i mbijetesës dhe politika shihet si menaxhim i krizave, që në realitet na rezulton me thellim dhe shtim të krizave.
Shkaku i mjegullës sociale në të cilën jemi është i ndikuar nga faktorët psikologjikë, më të cilët mjeshtërisht abuzohet nga politikanët tonë, të cilët u përngjajnë shizofrenëve paranoidë që mjeshtërisht abuzojnë me dhimbjet psikologjike të viktimave të tyre. Mirëpo kjo nuk e shfajëson votuesin kosovar, i cili përtej tifozit të flaktë, na shitet viktimë e bartësve të pushtetit që i ka zgjedhur vet.
Secili prej nesh duhet të ketë kurajon dhe të përballet me vetveten. Secili duhet ta pranojë përgjegjësinë që ka si pjesëtar i kësaj shoqërie dhe të gjej rrugën drejt vetvetes. Secili duhet ta kuptojë se politikanët janë vetëm pasqyrë e shoqërisë dhe për aq kohë sa nuk pranojmë përgjegjësinë individuale, për aq kohë sa nuk jemi të aftë të kërkojmë dhe japim llogari, për aq kohë sa nuk arrijmë të identifikohemi me tërësinë, pra shoqërinë dhe shtetin, do të jemi huliganë që zgjedhim më të paaftit, më abuzuesit dhe më të panjerëzishmit që kemi në mesin tonë.
Ata pastaj do të na justifikojnë për arratisjen tonë nga përgjegjësia dhe do të jenë ai zëri i urrejtjes që nuk guxojmë ta çesim, e prapa të cilit fshihemi, duke poshtuar e ofenduar secilin që nuk ndanë të njëjtën perspektivë.
Do të jetojmë me frikën e armikut të jashtëm, por në fakt armiku i vërtetë jemi vet ne.
*Autori është jurist kushtetues dhe në të kaluarën ka shërbyer si këshilltar juridik në Gjykatën Kushtetuese, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti dhe ka punuar edhe në institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.
Vota si arratisje: Zgjedhjet si strehë e papërgjegjësisë dhe mungesës së identitetit / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.