Nuk është çështje diskutimi e drejta e Qeverisë së Serbisë që të ndihmojë financiarisht komunitetin serb në Kosovë. As që ka qenë ndonjëherë, madje.

Këtë të drejtë nuk e mohon askush në politikën kosovare. Dhe diçka e tillë nuk kundërshtohet fare as në Rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) të miratuar kohë më parë.

Kjo e drejtë, zatën, është definuar dhe kodifikuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisaari (CSP, mars, 2007), për definimin e statusit të Kosovës.

Megjithatë, edhe te Ahtisaari edhe më pas, përkrahja financiare e Beogradit zyrtar për serbët e Kosovës supozohej që do të bëhej në mënyrë fare transparente, duke informuar me kohë Thesarin e Kosovës.

Tek e fundit, pse mos të bëhet në këtë mënyrë, apo çka ka kontestuese këtu, do të mund të shtohej prej shumëkujt.

Megjithatë, ky nuk ka qenë rasti deri tash. Pushteti serb i është shmangur mekanizmave të transparencës së plotë të financimit të përfituesve nga komuniteti serb, edhe pse është zotuar për një gjë të tillë qysh nga Marrëveshja e Parë e Brukselit (prill, 2013).

Ky fakt pastaj natyrshëm ka shërbyer për spekulime të shumta, jo vetëm këtu te ne, por edhe në qarqet opozitare në Serbi, se për çfarë bëhet fjalë në të vërtetë, apo, çka ndodhë krejt me këtë asistencë financiare të Serbisë.

Askund në Botën demokratike, nuk lejohen që thasët me para (këtu, madje, në një bankënotë të shtetit tjetër, me dinarë të Serbisë), të hyjnë në tregun financiar, sepse diçka e tillë është sprovë për sigurinë financiare të një shteti, por edhe për sigurinë në përgjithësi, sepse me paratë e tilla mund të financohen edhe ngjarje që mund të godasin stabilitetin e një shteti.

Nuk ka dilemë fare që miliona Euro janë harxhuar në sigurimin e armatimit për provokimin e rëndë të Banjskës (24 shtator), kur grupi paramilitar serb i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës. Këto para kanë origjinë të qartë, njëlloj si edhe vet armatimi që është sjellë në Kosovë atë javën e fundit të muajit shtator.

Nëse njëmend synohet normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjë që shfaqet edhe në përmbajtjen e Marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar (asaj Bazikes, me 27 shkurt në Bruksel, dhe Aneksit të zbatimit, me 18 mars, në Ohër), atëherë, s’do mend që duhet t’i vie fundi edhe një regjimi të dyfishtë financiar në Kosovë, ku si mjet pagese dhe transakcioni financiar janë edhe euro edhe dinari. Pastaj, duhet të garantohet mundësia që pushteti në Serbi të vazhdojë ndihmën financiare për komunitetin serb në Kosovë. Më në fund, duhet të sigurohet që kjo bëhet në mënyrë krejtësisht transparente për pushtetin qendror dhe lokal në Kosovë.

Nuk ka pse të ndërlidhen këto elemente shumë të rëndësishme për normalizimin e raporteve të Kosovës dhe Serbisë, me kohën kur mund të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Dinari, në asnjë variant, nuk mund të mbetet mjet pagese në Kosovë. Euro ka qenë dhe do të mbetet valuta e vetme në këtë aspekt, gjë që është një lehtësim i madh (dhe këtë e harrojmë shpesh të gjithë ne), për stabilitetin financiar të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.

Pushteti i Serbisë mund të vazhdojë madje të paguajë me dinarë pensionet, ndihmën sociale dhe rrogat për qytetarët serbë të Kosovës, por këta dinarë, do të konvertohen në Euro në llogaritë të cilat këta qytetarë mund t’i hapin në çdo bankë komerciale në Kosovë.

Përndryshe, lidhja e serbëve të Kosovës me dinarin qëmoti është relativizuar. Në meset e banuara me shumicën serbe në vend, Euro është në përdorim të vazhdueshëm, veçmas kur bëhet fjalë për shitblerjen e patundshmërive dhe veturave. Kështu është edhe në Serbi.

Kalimi në Euro, për serbët e Kosovës, do të sjell vetëm qartësi sa i përket vlerave të mirëfillta të rrogave dhe pensioneve që i marrin tash, dhe që do t’i përfitojnë tash e tutje.

Pastaj, edhe ata, por edhe institucionet e Kosovës, do të kuptojnë (më në fund), se për çfarë buxheti bëhet fjalë në rastin e përkrahjes financiare të Serbisë për komunitetin serb të Kosovës.

Stabiliteti financiar i Kosovës / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version