Të gjitha ngjyrat e nacionalizmit ballkanik zunë vend këtë qershor në Gjermani, në kuadër të asaj që do të duhej të ishte festë e futbollit.

Duke mos llogaritur Turqinë, Ballkani pati përfaqësimin më të madh të viteve të fundit në një garë të madhe me Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë dhe Slloveninë, që u kualifikuan për në fazën e grupeve të Euro 2024.

Edhe pse ishte e pritshme, shfaqja e mosdurimit ndaj njëri-tjetrit mori përmasa shqetësuese në këtë Kampionat dhe pasoi me dënime të paprecedent të shtëpisë evropiane të futbollit, UEFA.

Një tjetër shenjë që ballafaqimi me të kaluarën në rajonin e Ballkanit Perëndimor vazhdon të mbetet sfidë serioze, dhe nxjerrë në pah problemet kudo që ekstremet e të të gjitha palëve bashkohen.

Shqipëria, që grumbullon futbollistë të shumtë shqiptarë edhe nga Kosova dhe Maqedonia Veriore, mori shumë dënime për shkak të disa shkeljeve nga tifozët e saj, duke përfshirë edhe shfaqjen e flamujve të ish-organizatës guerile të luftës në Kosovë, UÇK si dhe flamuj me hartë të të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”, që përfshin territore të shteteve fqinje si Serbia, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Greqia.

Incidenti më i rëndë ishte thirrja e një pjese të tifozëve të Shqipërisë, bashkë me një pjesë të atyre të Kroacisë “Vrite, vrite serbin”, që UEFA e dënoi më së shumti. Thirrje të ngjashme të tifozëve serbë kundër shqiptarëve, janë dëgjuar më herët.

Edhe pse Kosova nuk mori pjesë në Kampionat, gëzoi shumë vëmendje për arsyet jo të duhura. Vrulli nacionalist u shpërfaq edhe nga punonjës të medieve, me gazetarin e Klan Kosova, Arlind Sadiku që bëri shqiponjën në drejtim të tifozëve serbë, pak minuta para se Serbia të niste ndeshjen kundër Anglisë. Pas ankesës së Federatës Serbe të Futbollit, Sadikut iu revokua akreditimi nga UEFA, por ai vazhdoi të raportojë dhe të shikojë ndeshjet si tifoz.

Futbollisti nga Kosova i Kombëtares Shqiptare, Mirlind Daku e mori dënimin më të rëndë duke u përjashtuar për dy ndeshje, pasi që në euforinë e barazimit 2:2 me Kroacinë, mori megafonin nga fansat dhe drejtoi fyerje në baza etnike kundër serbëve dhe maqedonasve. Si pasojë futbollisti kosovar mori shumë kërcënime nga Rusia, pasi që atje paraqitet me klubin Rubin Kazan. Vazhdimi i karrierës së tij në këtë shtet duket i vështirë.

Serbia u bë Kombëtarja e dytë më e dënuar, për shkak të një serie të incidenteve që përfshinin shfaqjen e banerëvë në ndeshje me pretendime territoriale ndaj Kosovës.

Flmauri më i parë ishte ai me hartë të Kosovës, ku shkruan “Nema Prodaje” (Nuk ka dorëzim/shitje), por një njërën nga ndeshjet, flamuri me hartë të Kosovës lexonte “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që shihet si kërcënim direkt me kthimin në Kosovë të forcave serbe, që u larguan 25 vjet më parë, me hyrjen e forcave të NATO-s këtu.

Tifozët serbë kënduan këngë nacionaliste kundër Kosovës edhe jashtë stadiumit, dhe gjithashtu u përleshën me tifozët anglezë dhe me Policinë gjermane.

Kroacia gjithashtu u dënua dhe atë më së shumti me vlera monetare, sepse u bë pjesë e incidenteve në ndeshjen me Shqipërinë, edhe pse Federata e saj provoi ta largojë fajin nga tifozët e vet, dhe ta hedhë të tërin tek shqiptarët.

Një luftë speciale u bë mes mediash të 4 shteteve – Kosovë, Shqipëri, Serbi e Kroaci. Ato iu gëzuan dështimeve të njëra-tjetrës, dhe nxitën shpesh urrejte me titujt e tyre. Në këtë aspekt, liderë padyshim ishin tabolidet në Beograd, të afërta me regjimin e presidentit aktual, Aleksandar Vuciq.

Të tilla si Informer, vazhdimisht përdorën termin pezhorativ ‘shiptari’, për të raportuar për atë që ndodhte në Gjermani me incidentet.

Të tria kombëtaret problematike të Evropianit, Shqipëria, Serbia e Kroacia nuk i kaluan grupet dhe u kthyen herët në shtëpi. Vetëm Sllovenia shkruajti historinë, duke u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt, ku u eliminua nga Portugalia në kohë shtesë.

Në Kosovë, sjellja e futbollistit Daku dhe e gazetarit Sadiku u dënua gjerësisht, si gjeste të pahijshme e joprofesionale, por në përgjithësi tifozët u krenuan me mënyrën e pëkrahjes së Kombëtareve të tyre në Evropian. Me gjasë, me maksimën se “nacionalizimi ynë, është më i mirë se i tyre”.

*Ky shkrim është produkt i Akademisë për raportimin në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e Sensibilizuar për Konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e gazetarit/gazetares dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD-së dhe AGK-së.

Shfaqja e së kaluarës së Ballkanit ballafaqohet me sanksione në Evropianin e Gjermanisë / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version