Parantezë njëzetvjetorit të pajtimit të gjaqeve
Të flasësh për ngjarjet e para gati tri decenieve, duhet të kesh shtysë të fuqishme morale. Shtysë që vije si borxh moral që brenda këtyre viteve të fundit nuk është pasqyruar në dimensionin e vet të plotë, personaliteti, gjerësia dhe thellësia e dëshmorit të kombit Xhemajl Fetahaj.
Ngjarjet personale që më vonë do të bëhen historike, mbase domosdo nuk mëtojnë të jenë paraqitje e plotë apo gjithëpërfshirëse, por plotësojnë mozaikun e fragmentarizuar nga individët e veçantë duke thurur “historinë e re” mbi përjetimet personale. Kësaj historie time personale, nuk synoj ti vë pikë por as ta lë në harresë.
Tema e pajtimit të gjaqeve sa e dhimbshme aq edhe krenare, që pritet të kremtohet sivjet duke kujtuar njëzetvjetorin e organizimit, më nxiti të them të vërtetën e përjetimit nga shkëndija e parë e kësaj ideje. Përjetime që ngjallin krenari të veçantë tek unë sepse isha dëshmitar, jo vetëm unë, i një premtimi gjigand, kopernikan për kohën.
Një premtim që Xhemajl Fetahaj- dëshmor i kombit, e dha në Burgun e Qarkut në Pejë, më 1984. Me realizimin e këtij premtimi Kosova do të shëronte plagën e vet gjysmëshekullore për të rilindur forcat e veta drejt fitores së madhe, çlirimit përfundimtar të saj. Sepse, sipas Xhemës, pajtimi i gjaqeve, shënonte rreshtimin e fundit para përballjes së madhe me serbin dhe veglat e tyre.
Me Xhemajl Metën pata fatin të jem në një dhomë burgu për rreth 19 (nëntëmbëdhjetë) muaj. Xhema, pas kaq vitesh, në mendjen time mbetet po ai i ditës së parë të takimit. I sinqertë, i drejtë, i vendosur dhe trim i pashoq.
Vepra për të cilën ishte në burg Xhema me shokë ishte e ngjashme me veprat tjera “kundërrevolucionare” të grupeve ilegale të asaj kohe. Dallonte “kokëfortësia” e anëtarëve të këtij grupi ilegal, dimensioni i paraqitjes së parullave tejet të mëdha, të papara deri atëherë në Kosovë- parulla me gjatësi mbi njëqind e dyqind metra, vendosja e parullave në largpërçues të rrymës që policisë serbe i shkaktonin kokëçarje për heqjen e tyre.
Xhema përfaqësonte dhe jetonte përvojën stërgjyshore të rezistencës ndaj armikut shekullor, nga fillet e ardhjes së rajës në Rrafshin e Dukagjinit, jetonte traditën më të pastër e më përfaqësuese të shqiptarit të shtypur ndër shekuj të gatshëm të sakrifikohej për të drejtën duke mos kursyer asnjëherë as jetën e vet.
Shkurt, tiparet e Xhemës ishin mostër e dinjitetit, urtësisë dhe vendosmërisë nacionale.
Në burg erdhi i mësuar, bartte barrën e përvojës më të shkëlqyer të një pjesëtari të familjes së nderuar Fetahaj në Dukagjin e më gjerë. Leximin e kishte pasion, mësonte italisht dhe mes tjerash praktikonim vallëzimin e kohëpaskohshëm që na mësonte shoku ynë i idealit Enver Avdiaj i Sinesë. Në dhomë kishim shumë shokë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, si Fatmir Grajçevcin, Sheremet Pantinën, Hysen Kryeziun, Hasan Bushatin, Afrim Dedën, Haxhi Haxhiun, Milazim Mavraj, Hazir Lulajn, Xhafer Mulliqin, Dibran Rexhën e shumë shokë tjerë.
Xhema debatonte me vrull me mostrat dhe përvojat më të mira të traditës kombëtare, të djalit të rritur në odën e Fetahajve, duke shtuar aftësitë personale origjinale të kapjes së esencave, veprimeve të aparatit shtetëror serbomadh kundër popullit shqiptar por edhe hapjen e strategjisë dhe veprimeve tona kundër armikut jugosllav. I njihte mirë veprimet dhe mbetjeve të Reformës agrare, Luftës së Dytë, aksionit të grumbullimit të armëve, shpërnguljes në Turqi, favoreve por edhe dëmeve që u solli shqiptarëve 1968, 1974 dhe shpërthimi i 1981. Xhema, me një fjalë, bartte në shpirtin dhe mendjen e tij barrën e rëndë të vuajtjeve të popullit tonë me shekuj. Bartte me vete po ashtu optimizmin e rezistencës tonë, fuqisë tonë morale dhe dinjitetin kombëtar ndër shekuj. Në zymtësinë e ditëve të burgut në ndihmë na vinte debati për mënyrën e realizimit të idealit kombëtar për çlirim, historitë e çlirimit të kombeve tjera por edhe epika e legjenda e Oso Kukës, Zhuj Selmanit, Ahmet Delisë, Selman Kadrisë dhe këngët e paharruara të Dervish Shaqës.
Në vlugun e përballjes me ideologjinë ekzistuese titiste të viteve ’80, Xhema në burg diskutonte dhe shkëlqente me rrugët më të lehta të gjetjes së zgjidhjeve të caktuara, me urtësi, sinqeritet dhe drejtësi.
Duke qenë dëshmitar të ngatërresave të pafund që pushteti organizonte në kurriz të popullit tonë, duke u dergjur burgjeve qindra e mijëra shqiptarë, duke ndërprerë çdo zhvillim familjar në njërën anë dhe duke shtuar hasmërinë në anën tjetër mes familjeve shqiptare, Xhema shihte rrezik armiqësitë e ushqyera me decenie mes familjeve tradicionale. Rrezik, thoshte Xhema, në veçanti janë ngatërresat mes familjeve të mëdha që duhej të merreshin me veten në vend se të edukonin gjenerata në universitete, shkollimin e vajzave dhe ngritjen e cilësisë së jetës.
Këto armiqësi Xhema i shihte si pengesë për unitetin e popullit tonë që ti rezistojmë serbëve më fuqishëm. Madje, këto ngatërresa i shihte si sukses të pushtetit serb për të na mbajtur më gjatë nën okupim.
Nga shumësia e venerimit të ngecjeve dhe prapavajtjeve në popullin tonë, një ditë, në pranverën e viti 1984, Xhemajl Fetahaj, neve shokëve të tij të dhomës së burgut 2 për 3, na tha:
Unë nuk kam me i thanë vetës Xhemajl Fetahaj po si pajtova Buqollët. Puna e parë që kam me ba mbas burgut, Buqollët kam me i pajtue!!!
Xhema bëri gjashtë vjet burg. Kur Xhemajl Meta do të vendoste të bënte diçka, do të bëhej. Do të bëhej sepse vizionet e tij për shtetin, për popullin dhe kombin, konceptet e tij për çlirimin nga serbi i kishte të qarta. Ai i njihte edhe mundësitë. Dashuria e tij për popullin dhe kombin ishte e pakufishme, e pamatshme dhe papërshkrueshme.
Pajtimi si fenomen ishte i njohur në popullin tonë, fundja në prag të çdo lufte të madhe ka ngjarë “islihati”, pajtimi i përgjithshëm dhe ngjanin “Verrat e Llukës” që ishte kujtesë e mirë e Dukagjinit dhe krejt kombit.
Xhema nuk e kishte thënë këtë premtim si ndonjë shpikje të re, por i shtyrë nga dashuria për bashkëfshatarët e popullin e vet që nga puna dhe kamja ishin kthyer në shtëpi të mbyllura. Xhema kishte dhënë një premtim: Duhet patjetër ta ndalim vëllavrasjen. Kjo mbase do të ishte barra e vazhdueshme e Xhemës ngase në Burgun e Pejës, vuante dënimin edhe pjesëtari i Buçollëve të Raushiqit, të cilin e shihnim shpesh, të implikuar në tragjedi.
Historia do ta tregoj më vonë se Familja e parë e pajtuar që në nismën e Pajtimit të gjaqeve në Dukagjin, ishte familja Buqolli në Raushiq.
Xhemajl Fetahajt ishte i bindur se populli ynë nuk guxon të shterroj energji kundër njëri tjetrit, sepse përballë kemi hasmin me gjithë makinerinë vrastare.
Për Pajtimin historik të gjaqeve të viteve ’90, të gjithë qytetarët e vendit tonë dhanë kontribut.
Familjarët e tragjedive falën gjakun dhe mbyllen hasmëritë, dikush dha vizionin e lotin, dikush veprimin e financimin, dikush aktin burrëror të sakrificës si dhe armata e mijëra intelektualëve dhe patriotëve të përkushtuar të shuajnë hasmërinë mes popullit tonë. Pa dyshim se kjo lavdi i takon gjithë popullit. Duke përjashtuar aparatçikët e sistemit.
Verrat e Llukës, nuk mund t’i imagjinoj ndaras nga vizioni i Dëshmori i kombit, Xhemajl Metë Fetahaj dhe premtimin e tij të dhënë në Burgun e Qarkut në Pejë, më 1984, për pajtimin e parë, për Buqollët e Raushiqit.
Le të jetë kjo kujtesë për Xhemën, kontributin e tij për pajtimin e gjaqeve dhe dashurinë për njëri tjetrin.
Xhemajli, dëshmor i kombit, sot pushon në varret e Koshares, bashkë me shokët dëshmorë të ushtrisë së lavdishme të UÇK-së, si dëshmitar se mbyllja e hasmërive është shteg për bashkim. Bashkimi solli lirinë e vendit tonë, bashkimi do të na shpie, edhe më tej, në gjirin e kombeve të përparuara.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për birin e denjë të kombit shqiptar, Xhemajl Fetahaj.
24 Prill 2010
Premtimi i realizuar i Xhemajl Fetahajt / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.