Rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë ka krijuar një realitet politik kompleks, ku asnjë parti nuk ka arritur shumicën absolute për të formuar e vetme qeverinë. Zgjedhjet në Kosovë shpesh kanë prodhuar rezultate që imponojnë nevojën për koalicione qeverisëse. Në këtë kontekst, opozita përballet me disa opsione strategjike për të maksimizuar përfitimet e saj politike afatgjata. Në rastin e fundit, rezultati elektoral ka lënë partinë fituese LVV-në pa shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, duke e detyruar atë të kërkojë mbështetje nga parti të tjera.
Në një situatë të tillë, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK/Nisma kanë disa strategji politike për të vepruar përballë rezultatit të zgjedhjeve ndonëse ende preliminare:
1.Hyrja në koalicion me partinë fituese (LVV), duke ndarë pushtetin dhe përgjegjësitë qeverisëse.
2.Refuzimi i bashkëpunimit dhe mbajtja e një qëndrimi opozitar të rreptë, duke e lënë LVV si parti e parë të kërkojë mbështetje tjetër.
3.Votimi i qeverisë pa hyrë në të, një strategji që do të siguronte një qeveri të paqëndrueshme dhe do të krijonte hapësirë për opozitën të përfitojë politikisht në të ardhmen.
Opsioni, më pak i eksploruar në politikën kosovare, është ai i mbështetjes së kushtëzuar të qeverisë nga opozita, një strategji e zgjuar për opozitën që mund të sjellë përfitime afatgjata për partitë opozitare dhe njëherësh të kufizojë aftësinë qeverisëse të ekzekutivit.
Në këtë kontekst, strategjitë opozitare për të menaxhuar realitetin politik post zgjedhor nuk janë më të kufizuara në binomin klasik: hyrja në koalicion ose qëndrimi si opozitë e ashpër.
Në rastin konkret, ideja që opozita të votojë qeverinë pa hyrë në të nuk është thjesht një manovër taktike momentale, por një kalkulim strategjik me ndikim të madh në arkitekturën politike të vendit. Ky pozicionim i jep partive opozitare mundësinë që të mos shihet si bllokues e procesit politik, por si një faktor konstruktiv që mundëson stabilitet institucional pa i dhënë një mandat të pakushtëzuar qeverisë. Në këtë mënyrë, opozita ruan pavarësinë e saj politike, duke shmangur përfshirjen në përgjegjësitë qeverisëse dhe duke ia lënë barrën e performancës ekzekutivit. Kjo qasje do të krijonte një situatë ku qeveria funksionon nën një presion të vazhdueshëm dhe me një lloj të kufizuar legjitimiteti politik, pasi për çdo vendim madhor i duhet të kërkojë konsensus nga opozita.
Një qeveri që mbështetet nga opozita, por pa pasur një bazë të sigurt mbështetëse në kuvend, është e destinuar të jetë e brishtë dhe e varur nga negociatat e vazhdueshme. Kjo e bën të pamundur që ekzekutivi të ndërmarrë reforma madhore, pasi çdo lëvizje e rëndësishme duhet të kalojë përmes filtrit opozitar. Kjo jo vetëm që e dobëson qeverisjen e LVV-së, por e shndërron opozitën në një faktor determinues në procesin politik, duke e bërë atë një bllok politik vendimtar pa qenë realisht në pushtet. Përveç kësaj, fakti që opozita në Kosovë nuk merr pjesë në ekzekutiv do të thotë që ajo nuk do të mbajë përgjegjësi për dështimet e qeverisë. Nëse performanca e qeverisë del të jetë e dobët, opozita mund të kapitalizojë mbi pakënaqësinë e qytetarëve dhe të rrisë mbështetjen e saj elektorale në zgjedhjet e ardhshme.
Një tjetër aspekt i kësaj strategjie është se ajo e vendos qeverinë në një pozitë të vështirë sa i përket dialogut me Serbinë, zbatimin e Marrëveshjës së Ohrit, proceseve integruese dhe avancimin e marrëdhënieve me partnerët strategjik të Kosovës. Një ekzekutiv që nuk ka një shumicë të qëndrueshme është gjithmonë i ekspozuar ndaj rrezikut të mocioneve të mosbesimit. Në çdo moment kur opozita e sheh të arsyeshme, ajo mund të përdorë këtë mekanizëm për të sfiduar legjitimitetin e qeverisë dhe për të krijuar një krizë politike që mund të çojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo formë presioni do ta bënte qeverisjen e LVV-së të paaftë për të ndërtuar politika afatgjata, duke krijuar një cikël pasigurie që e dëmton funksionalitetin e institucioneve dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
Megjithatë, kjo strategji nuk është pa rreziqe për vetë opozitën. Nëse ajo shihet nga elektorati si një forcë që po e zgjat artificialisht jetëgjatësinë e një qeverie të dobët, mund të humbasë besimin e qytetarëve. Për më tepër, duke mos qenë në qeveri, opozita nuk do të ketë kontroll mbi burimet administrative dhe vendimmarrjen ekzekutive, çka e bën të vështirë për të imponuar politika të saj. Për këtë arsye, opozita duhet të balancojë me kujdes këtë strategji, duke e përdorur atë për të dobësuar qeverinë, por pa u perceptuar si faktor që pengon stabilitetin politik.
Në një skenar afatgjatë, kjo strategji mund të çojë në një rritje të konsiderueshme të opozitës, duke e pozicionuar atë si një alternativë serioze për zgjedhjet e ardhshme. Duke qenë se qeveria do të mbajë përgjegjësinë e plotë për çdo dështim, ndërsa opozita do të paraqitet si një faktor moderues, qytetarët mund të shohin tek opozita një opsion më të besueshëm për qeverisjen e ardhshme. Nëse kjo ndodh, zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin një ndryshim të rëndësishëm në balancën e forcave politike dhe një konfigurim të ri të qeverisjes.
Mbështetja e kushtëzuar e qeverisë nga opozita është një strategji komplekse që mund të sjellë përfitime afatgjata, por që kërkon një menaxhim të kujdesshëm politik. Nëse opozita e luan këtë lojë me zgjuarsi, ajo mund të dalë si fituesja më e madhe në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj, gjithçka varet nga mënyra se si opozita do të ekzekutojë këtë strategji dhe nga reagimi i qytetarëve ndaj këtij konfigurimi të ri politik.
Kështu, ndërsa qeveria do të jetë në një pozitë të brishtë, opozita do të ketë në dorë kontrollin e të ardhmes politike të vendit, duke vendosur kur dhe si do të ndodhë ndryshimi i radhës në pushtet.
Në politikë, sikurse në shah, nuk fiton gjithmonë ai që lëviz i pari, por ai që e lexon më mirë lëvizjen e kundërshtarit.
Një opozitë e zgjuar apo një qeveri e brishtë? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.