Përderisa shprehja “qenka për mësysh” përdoret për të përshkruar aftësi apo karakteristika mbi mesatare të dikujt, shprehja “është me mësysh” përshkruan gjendjen deluzive të pacientit që, për fat të keq, jeton i shkëputur nga realiteti. Shpresa nuk duhet humbur, sepse ka mundësi të shërohet nga mësyshi i të tjerëve. Por çka kur dikush i bie vetes mësysh?
Ndryshimi i politikanëve dhe politikave që ata zbatojnë pasi të pajisen me pushtetin që kërkuan nuk është ndonjë risi. Historia është e mbushur me shembuj të shumtë të atyre që zotëruan artin e shitjes në politikë dhe e kuptuan se votuesi është thjesht një blerës që, në vend të parasë me mallin, shkëmben votën për premtimet. Për dallim nga konsumatori, votuesit nuk u mbesin shumë mekanizma efikas për të mbrojtur veten nga mashtrimi, por të njëjtëve, në periudha të ndryshme kohore, u ofrohet mundësia të blejnë sërish nga i njëjti “shitës”. Një votues racional mëson nga përvojat e mëhershme dhe e di se me votën e tij ai po pajis me pushtet dikë që ka në dorë fatin e tij jo vetëm për katër vitet e ardhshme, sepse vendimet e bartësve të pushtetit politik mund të krijojnë pasoja afatgjata, të cilat vështirë ose nuk mund të riparohen fare.
Politika që Otto von Bismarck zbatoi pasi u emërua Kancelar i Prusisë, dalloi rrënjësisht nga qëndrimet e tij të mëparshme. Mirëpo, një vrojtues i vëmendshëm do ta vërejë se Bismarck nuk ishte nga ata që “pasi të ndryshojnë rrethanat, ndryshojnë qëndrimet”, por ishte ai që ndryshonte qasjen dhe metodën ndaj problematikave, ndërsa synimi mbetej i njëjti. Ai ishte i vetëdijshëm se ekzistonte vetëm një mënyrë për të shkruar emrin e tij në librat e historisë: të realizonte atë që asnjë nga paraardhësit e tij nuk kishin arritur ta bënin. Prusia dhe shtetet e tjera gjermane ishin poshtëruar nga Franca në fillim të shekullit XVIII, gjermanët nuk ishin konsoliduar si komb dhe, për rrjedhojë, nuk kishin një shtet kombëtar që arrinte të konkurronte me fuqitë e mëdha të kohës.
Në kohën kur shtetet e tjera ishin të fokusuara në krijimin e kolonive të reja jashtë kontinentit evropian, Bismarck u fokusua në politikën e brendshme. Rrugëtimi që ai kishte ndjekur dhe përvojat e leksionet nga to, që i përshkruan në memoaret e tij, kishin bërë që ai të kuptonte se suksesi i një politikani nuk matet me popullaritetin që gëzon, por me të arriturat që ai regjistron. Ai e kishte kuptuar se armiku politik më i madh i brendshëm mund të kthehej në mikun dhe promotorin më të madh, kur paraardhësi i tij, me të cilin kishte mospajtime shumëvjeçare, ishte pikërisht ai që i propozoi mbretit të Prusisë që të emëronte Bismarckun si kancelar të Prusisë. Ndërsa sublimen e politikës, të cilën ai e quajti “arti i të mundshmes dhe të realizueshmes”, e vlerësoi si arritjen e një unifikimi kombëtar dhe eliminimin e mospajtimeve e kundërshtimeve në raport me temat e rëndësishme për shtetin dhe kombin. Për të, politika ishte një mundësi për të realizuar ato ide që i ofronin shtetit mundësitë e nevojshme për të ushtruar funksionet e tij dhe, kësisoj, për të ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Nuk e di pse më erdhi në mendje Bismarcku, përderisa shikoja shkëputje nga fushata zgjedhore në Kosovë. Përvoja ime e punës me kryeministrin Kurti më ka mundësuar ta njoh nga afër atë dhe bashkëpunëtorët e tij. Për mua nuk janë të panjohura qëllimet, aftësitë dhe mutacionet që ai, personat afër tij dhe lëvizja politike që udhëheq kanë pësuar. Nuk e quaj transformim, sepse rëndom ky term përdoret për të përshkruar ndryshimet e domosdoshme në realizimin e synimeve të proklamuara, ndërsa mutacioni zakonisht i referohet ndryshimeve të atilla që nuk pasqyrojnë esencën e të mëparshmes; pra, nuk konsiderohet zhvillim, por ndryshim që, për rrjedhojë, ka defektin dhe mosfunksionimin.
Përderisa diku para katër viteve i pata redaktuar një shkrim të përkthyer nga gjuha shqipe në atë gjermane, kujtoj se theksi ishte te porosia e tillë që votuesi kosovar i ka besuar pushtetin që ai të zgjidhë hallet e tyre dhe të jetësojë premtimin e madh “drejtësi dhe punë”. Në këtë periudhë, Albin Kurti ishte një “djalë për mësysh” që kishte përdorur zbutës dhe gradualisht e harroi se, si mohues i Republikës së Kosovës, premtonte bashkimin me Shqipërinë, të cilën, sikurse çdo premtim domethënës, nuk e realizoi.
Për dallim nga vitet e kaluara, kur fokusi i tij ishte te ngritja e problemeve, të cilat vetëm theksonte se do t’i eliminonte (pa treguar si), tani më ngjan me dikë që dështimin për të jetësuar potencialin që besonte se e kishte dhe zhgënjimin e mospërmbushjes së pritshmërive e mbulon me bullizmin publik të kundërshtarëve politikë dhe tentimin për të imponuar veten si “mbinjeri”. Mutacioni akustik është e vetmja gjë që tërheq vëmendjen, sepse bisedat e tij me votuesin u përngjajnë atyre në çajtoret e shehrit, ku flitet për trivialen dhe të parëndësishmen.
Shembulli i tij na kujton liderë të tjerë politikë, të cilët shpërdoruan pushtetin dhe mundësinë për të shkruar historinë ashtu si duan vetë, sepse historinë e shkruajnë fituesit, jo dështakët. Mirëpo, nuk kishte si të pritej ndryshe, sepse kur të dhënat nga terreni janë tregues i fiaskos që pëson, votuesit të pashpresë mund t’i ofrosh vetëm “entertainment”. E në kohën e TikTok-ut, ku trendi është “budallallëku”, duhet ndjekur trendin që të jesh lojtar domethënës.
Votuesi kosovar është kthyer në një krijesë që nuk jeton më i lumtur, por synon vetëm kënaqësinë. Kjo e bën të lehtë shitjen, sepse “blerësi” është në kërkim të një doze të radhës së dopaminës, i pavetëdijshëm se, sapo momentumi të kalojë, ai do të bjerë edhe më poshtë në gropën në të cilën ka rënë dhe nga e cila nuk po arrin të dalë për dekada me radhë.
Do të ngelet në këtë gjendje për aq kohë sa e ka harruar sesi është të jetosh dhe jo të mbijetosh. Atëherë kur do ta kuptojë përgjegjësinë dhe peshën që ka vota e tij, përmes së cilës e vendos të ardhmen në duart e të tjerëve. Politika nuk është proces i ndryshimit të realitetit aktual, por i vendosjes së themeleve dhe ndërmarrjes së hapave të ndërtimit të shtyllave për të ardhmen e gjeneratave që vijnë.
Përderisa kjo nuk ndodhë nuk do të kemi një kryeministër për mësysh, por një kryeministër me mësysh, apo thënë ndryshe një qeverisje kurrqysh.
Përderisa kjo nuk ndodh, nuk do të kemi një kryeministër për mësysh, por një kryeministër me mësysh, apo thënë ndryshe një qeverisje kurrqysh.
*Autori është jurist kushtetues dhe në të kaluarën ka shërbyer si këshilltar juridik në Gjykatën Kushtetuese, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti dhe ka punuar edhe në institucione të tjera vendore e ndërkombëtare.
Një kryeministër për apo me mësysh!? / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.