Fundvitin e kaluar po bëhesha gati për xhirimet e Vitit të Ri; ishim në vlugun e punës kur më bie telefoni. Nuk e hapa, pasi isha në mes të xhirimeve. Pas pak mora një SMS që më dha goditjen më të rëndë që mund të marrë një fëmijë – nëna ime ishte diagnostikuar me kancer të gjirit.
Jeta, ëndrrat, planet dhe gjithçka tjetër u shua. Një gropë e madhe u hap para këmbëve të mia, sikur donte të më përpinte. Edhe pse prej kohësh po ballafaqohesha me shëndetin e dobësuar të prindërve, kësaj radhe ishte ndryshe. Ishte diçka për të cilën, në atë moment, nuk po gjeja zgjidhje.
Ato ditë ishin periudha më e vështirë për mua dhe për gjithë familjen. U ndjemë të thyer, të frikësuar dhe të humbur, duke u përballur me një sëmundje që dukej e pamposhtur. Kjo diagnozë nuk ishte vetëm një betejë fizike për nënën time, por edhe një përvojë që testoi fuqinë e familjes sonë.
Goditja ishte e madhe, por na duhej forcë për të ecur përpara, për të gjetur një rrugëzgjidhje.
Nëna iu nënshtrua operacionit të parë po atë muaj, vetëm katër ditë pasi mjekët zbuluan një masë kancerogjene në gjirin e saj të djathtë. Unë, motra dhe vëllai po prisnim të tensionuar në korridor, kur doktori na ftoi në zyrën e tij. “Nga forma, madhësia dhe dendësia, është kancer, por na duhet konfirmimi nga mikroskopi,” tha ai.
Pashë nga motra dhe vëllai. Ishin të humbur dhe po qanin. Problemi më i madh tani ishte si t’ia thoshim asaj lajmin. “Jo, nuk ka nevojë të dijë askush deri në konfirmimin zyrtar,” thashë unë. Të tjerët ranë dakord me mua.
Sfidë e madhe në këtë sëmundje ishte nevoja për pozitivitet, diçka që nënës i mungonte për shkak të frikës së saj të madhe. Megjithatë, sekreti ynë u zbulua natën e Vitit të Ri, kur mjeku i konfirmoi asaj rezultatin e biopsisë. Ajo festë u kthye në një nga netët më të trishta për familjen tonë.
Sidoqoftë, një sfidë tjetër nisi më 1 janar. Nga momenti i diagnostifikimit deri tek konfirmimi i tipit të kancerit në Kosovë është një rrugë pothuajse pa krye. Ripërsëritje biopsish, analiza, konsultime, PET-scan dhe një dyzinë testesh të tjera na dolën para. Vraponim nga një laborator te tjetri dhe nga një mjek te tjetri. Thjesht një mal i vështirë që duhej të ngjitej në kohë rekord. Ishte një luftë me kohën.
Mastektomia ishte referimi i radhës. Unë dhe motra duhej të vendosnim për trupin e nënës, sepse ajo refuzonte të merrte vendimin për veten e saj. Emocionalisht ishte e rënduar dhe moralisht e rrëzuar. Ky ishte vendimi që nuk po arrinim ta merrnim. Sapo thoshim “po”, ndryshonim në çast. Shpresa për t’i ikur kimioterapisë na bëri të vendosnim vetëm 10 minuta para operacionit të dytë brenda pak javësh. Operacioni zgjati rreth 6 orë – një pritje e tmerrshme.
Kësaj radhe fati ishte në anën tonë; nëna nuk kishte metastaza, pavarësisht agresivitetit të qelizave kancerogjene. Sërish analiza, këtë herë për të shmangur kimioterapinë. Rezultatet erdhën dhe ne morëm frymë lirshëm.
Tani, kanceri është pjesë e së shkuarës. Rruga drejt fitores nuk ishte vetëm e nënës, por edhe e gjithë familjes sonë, që u bë një bashkësi forcash gjatë këtij rrugëtimi.
Megjithatë, ky udhëtim na la shumë reflektime për mënyrën se si sistemi duhet të ndryshojë për t’u bërë më i drejtë dhe më njerëzor për ata që përballen me diagnoza të tilla. E sidomos për njerëzit në nevojë. Frika, ngutia, sistemi i dobët i diagnostifikimit dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore nuk të japin shpresë për një të ardhme më të mirë.
Është muaji rozë, institucionet janë plot me fjalë, por mungojnë veprat. Shumë njerëz dorëzohen që në ditët e para, sepse mbështetja morale dhe financiare e shtetit është vetë frika e frikës së kancerit.
Thjesht doja të sjell zërin e një familjeje që e përballoi këtë rrugë dhe që gjeti forcë brenda familjes për të shikuar përpara me më shumë shpresë se ky vend do të jetë i denjë për të gjithë.
Me shumë dashuri nga çika e një gruaje që bëri mastektomi, për të gjitha familjet që sot janë në luftë, jo vetëm me sëmundjen, por edhe me sistemin e dështuar shëndetësor
Një gropë dhe më pas forcë: Rrugëtimi me kancerin e gjirit / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.