Fitorja e madhe e Partisë Laburiste në zgjedhjet parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar tashmë u ka dhënë leksion partive të qendrës dhe të qendrës së majtë kudo nëpër botë. Por nëse kjo do të ketë rëndësi në afat të gjatë, varet nga aftësia e kryeministrit Keir Starmer për të adresuar problemet ekonomike të vendit të tij, e që është detyrë fortë e vështirë.

Për meritë të tyre, konservatorët treguan respekt për demokracinë duke pranuar humbjen, me udhëheqësin e Partisë Konservatore Rishi Sunak që përgëzoi me përzemërsi Starmerin edhe para se të përfundonte numërimi i votave. Është e pamundur të imagjinohet skenari në të cilin Donald Trump do të bënte të njëjtën gjë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së këtë vit. Me shumë republikanë që tashmë po përgatiten të mohojnë çdo humbje në zgjedhjet e nëntorit (duke minuar më tej nivelin tashmë të ulët të besimit të amerikanëve në institucione), shembulli britanik na kujton se nuk duhet ta normalizojmë kurrë sjelljen e tillë. Mediat dhe shoqëria civile e SHBA-së kanë për detyrë të denoncojnë sjelljen anti-demokratike të Trumpit dhe aleatëve të tij.

Rehabilitimi i shpejtë i Starmerit të Partisë Laburiste gjithashtu ofron mësime të vlefshme. Duke marrë drejtimin nga Jeremy Corbyn në vitin 2020, menjëherë pas disfatës më të rëndë të partisë që nga viti 1935, Starmer theksoi moderimin dhe politikat për të përmirësuar ekonominë dhe shërbimet publike. Fitorja e tij tregon se është e mundur të fitohen zgjedhjet pa ekstremizëm. Ai premtoi të bëjë demokracinë të funksionojë më mirë për të gjithë.

Ky është mesazh i fuqishëm. Hulumtimi im i fundit tregon se njerëzit bëhen shumë më pro-demokratikë kur shohin se demokracia funksionon si duhet dhe jep rezultate në terma të rritjes ekonomike, stabilitetit, shërbimeve publike dhe niveleve të ulëta të pabarazisë dhe korrupsionit. E njëjta formulë bazë ka funksionuar mirë për partitë punëtore dhe socialdemokratët gjetkë. Lindja e modelit të famshëm nordik mund të gjurmohet tek fitoret zgjedhore të partive punëtore në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji gati një shekull më parë. Këto parti fillimisht u larguan nga idetë dhe retorika e ashpër e së majtës. Pastaj, sapo morën pushtetin, ata realizuan përmirësimet konkrete që kishin premtuar.

Në rastin e Suedisë, socialdemokracia u formua në furrën e Depresionit të Madh. Partia e Punëtorëve – e cila ishte shkëputur nga rrënjët e saj marksiste dy dekada më parë – bëri fushatë me platformë të stabilitetit makroekonomik, më shumë vende pune dhe rritje të pagave. Pasi i realizoi këto premtime, ajo u bë partia kryesore qeverisëse e vendit.

Partia Laburiste e Norvegjisë kishte rrugë të ngjashme me atë të partisë simotër në Britani në vitin 2024. Pasi bëri fushatë me platformë të majtë dhe humbi më shumë se 20% të vendeve të saj në zgjedhjet e vitit 1930, ajo iu nënshtrua rehabilitimit të shpejtë. Në vitin 1935, Partia Laburiste thelbësisht ndryshe erdhi në pushtet duke bërë fushatë për reformën shkollore, programet e mirëqenies dhe vendet e punës. Përmes “Reformës Historike të Shkollës Popullore”, ajo rriti cilësinë e arsimit në pjesët më pak të zhvilluara ekonomikisht të vendit, duke fituar mbështetjen e qëndrueshme të shumë votuesve. Socialdemokracia ka mbetur modeli dominues në Norvegji që atëherë.

Transformimi i një partie është i vështirë. Për Starmer, kjo përfshinte anashkalimin e Corbyn dhe bëri të qartë se ekstremizmi i tij i skajshëm i majtë nuk do të ishte më në agjendë. Starmer përballoi shumë muaj kritikash të gjera nga e majta, por qëndroi i vendosur.

Tani vjen prova edhe më e madhe. Rëndësia e fitores së laburistëve në fund do të varet nga fakti nëse partia do të arrijë të realizojë premtimet, sidomos për ringjalljen ekonomike. Performanca ekonomike e Britanisë gjatë 14 viteve të sundimit të konservatorëve ka qenë mjaft zhgënjyese. Rritja e të ardhurave për frymë ka qenë e ngadaltë dhe liderët e vendit kanë dështuar të adresojnë problemin e dukshëm të produktivitetit: rritja e prodhimit për orë të punuar krahasohet dobët me atë të Shteteve të Bashkuara, Francës dhe Gjermanisë.

Duke njohur se mungesa e investimeve publike dhe private është në themel të performancës së dobët të produktivitetit dhe punësimit në MB, laburistët kanë ide të shëndosha për të nisur rikuperim të fuqishëm ekonomik. Por për të financuar investimet publike në kujdes shëndetësor, arsim, infrastrukturë dhe teknologji që Starmer ka premtuar, qeverisë do t’i duhet të rrisë të ardhurat nga taksat. Starmer mund të ketë nevojë të heqë dorë nga premtimi i veçantë për të mos rritur taksat për njerëzit e punësuar.

Nëse është kështu, ai duhet të theksojë se asnjë ekonomi e avancuar nuk mund të arrijë rritje të qëndrueshme dhe dinamike pa inovacion. Ndërsa vende si Vietnami dhe Kina kanë arritur të përfitojnë nga teknologjitë dhe puna me kosto të ulët, ekonomitë me të ardhura të larta nuk e kanë këtë opsion. Ato duhet ose të inovojnë ose të mbeten prapa kufirit global teknologjik. Edhe pse specializimi në shërbimet financiare mund të ofrojë shtytje, përfitimet janë të përkohshme. Dhe siç tregon shembulli britanik, të bëhesh qendër financiare për paratë nga oligarkët rusë, shtetet me karburante dhe evazorët fiskalë sjell një sërë problemesh shoqërore.

Por inovacioni është më lehtë të thuhet se të bëhet. Pavarësisht theksit të qeverisë së mëparshme në inteligjencën artificiale, Britania po mbetet pas në garën teknologjike, dhe as vëmendja nga qeveria nuk do të përmbysë gjërat në mënyrë të mrekullueshme. Në vend të kësaj, MB ka nevojë për strategji koherente afatgjatë të orientuar drejt gjetjes së një vendi në ekonominë më të gjerë të inovacionit. Suksesi do të kërkojë më shumë se vetëm politikë industriale të stilit të vjetër të mbështetjes së kompanive ose sektorëve specifikë.

Ka gjithashtu linja të mundshme ndarjeje brenda planeve të laburistëve për të bërë që demokracia të funksionojë më mirë. Qeverisja demokratike e përgjegjshme do të thotë që asnjë shqetësim i madh publik të mos neglizhohet, dhe elektorati britanik ka sinjalizuar sërish se është shumë i shqetësuar për emigracionin. Një arsye pse konservatorët performuan kaq dobët është se partia populiste, anti-emigracion e Nigel Farage, Reform UK, performoi mirë. Në fakt, nëse konservatorët do të kishin kapur shumicën e votave të Reform UK, ata do të kishin fituar zgjedhjet.

Ashtu si në pjesën tjetër të Evropës, e djathta britanike do të përballet me presion në rritje për të anuar edhe më tej djathtas, dhe laburistët dhe politikanët e tjerë centristë do të duhet të përgatiten për këtë ndryshim. Zgjedhje pas zgjedhjeje kanë treguar se injorimi i mendimeve të popullatës për emigracionin nuk është strategji e qëndrueshme. Laburistët duhet të bëjnë rastin humanitar për të lejuar refugjatët, ndërsa gjithashtu premtojnë transparencë dhe kontroll më të madh mbi emigracionin në përgjithësi. Gjetja e strategjisë së duhur të komunikimit dhe parimeve të duhura për të udhëhequr politikën e tyre të emigracionit do të jetë një nga sfidat më të mëdha të qeverisë së re. Si dikush që ka punuar më parë si mbrojtës për të drejtat e njeriut dhe si kryeprokuror duke u marrë me çështjet e rendit publik, Starmer mund të jetë padyshim i kualifikuar për të pasur sukses aty ku të tjerët kanë dështuar.

Daron Acemoglu, profesor i Institutit i Ekonomisë në MIT, është bashkëautor (me James A. Robinson) i librit Pse dështojnë Kombet: Origjina e Pushtetit, Prosperitetit dhe Varfërisë (Profile, 2019) dhe bashkëautor (me Simon Johnson) i Fuqisë dhe Progresit: Lufta jonë mijëravjeçare për teknologjinë dhe prosperitetin (PublicAffairs, 2023). Marr nga ProjectSyndicate. Përktheu: Gent Mehmeti/ Reporteri.net.

 

Modeli Starmer / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version