Premisa ime sfidon strukturat tradicionale të procesit legjislativ dhe nxit një debat të thellë mbi natyrën e ligjit dhe të drejtësisë. Rasti i fundit i ngërçit institucional në Kuvendin e Kosovës, ku për herë të dytë, Kuvendi nuk mundet ta konfirmojnë vetveten si legjitim, nxjerr në pah një krizë legjitimiteti që shkon përtej përplasjeve politike, duke prekur vetë themelet filozofike mbi të cilat ndërtohet një rend juridik. Kjo ese synon të shtjellojë idenë se në kontekstin e Kosovës, përfshirja e filozofisë në hartimin e ligjeve është jo vetëm e dëshirueshme, por e domosdoshme për të ndërtuar një sistem që reflekton drejtësinë e thellë shoqërore, e jo vetëm korrektësinë procedurale.

Një dilemë me pasoja të mëdha institucionale: a duhet të japë dorëheqje qeveria në përfundim të mandatit të saj kushtetues, përpara se të konstituohet legjislatura e re? Në mungesë të një sqarimi të plotë në ligj përkatësisht në Kushtetutë, ky debat ka prodhuar një paralizë funksionale të sistemit dhe një krizë legjitimiteti për të gjitha palët. Raste si ky i ngërçit institucional, të shkaktuara nga paqartësia juridike, mund të jenë të reja dhe të paprecedenta në formën e tyre konkrete, por nuk janë të panjohura në historinë e zhvillimit juridik të Kosovës.

Përgjegjësia për këtë ngërç institucional bie mbi vetë sistemin juridik të Kosovës. Edhe pse formalisht i ndërtuar mirë, ai mbetet i shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Këtu ndodh pikërisht ajo që filozofët si Hegel, Habermas apo edhe Dworkin kanë paralajmëruar: kur ligji nuk buron nga një reflektim i thellë shoqëror e filozofik mbi drejtësinë, ai mbetet një instrument teknik i administrimit dhe jo një udhërrëfyes etik i një shoqërie të drejtë.

Krijimit të institucioneve të përkohshme, e më pas edhe të institucioneve të përhershme të shtetit, Kosova ka përjetuar një periudhë të gjatë të hartimit dhe miratimit të një numri të madh ligjesh, shpesh në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare. Megjithatë, këto ligje shpesh janë prodhuar në një mënyrë teknike, duke marrë modele nga vende të ndryshme perëndimore (marrë nga praktika e BE-së, vendeve të rajonit, etj.) dhe duke u përshtatur në mënyrë të përshpejtuar në një realitet lokal që shpesh nuk i përkonte atyre modeleve. Pra, hartimi i ligjeve në Kosovë por edhe vetë Kushtetuta është më shumë një produkt teknik sesa një reflektim filozofik.

Në Kosovë, juridizimi i çështjeve politike dhe shoqërore ka krijuar një hendek të thellë mes “ligjshmërisë” dhe “drejtësisë”. Kjo vërehet më qartë në trajtimin e çështjeve si personat e zhdukur, të drejtat e familjeve të dëshmorëve, viktimat e dhunës seksuale apo edhe proceset e drejtësisë tranzicionale. Ligjet janë hartuar, por shpesh pa një reflektim të thellë filozofik mbi përgjegjësinë morale të shtetit, pa u bazuar në një koncept të qartë të drejtësisë riparuese apo kujtesës kolektive.

Filozofia e drejtësisë do të duhej të ishte në zemër të këtyre ligjeve: si t’i trajtojmë plagët e së kaluarës? Çfarë do të thotë të jesh i drejtë ndaj një gruaje që ka përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës? A mjafton vetëm një ligj për kompensim financiar, apo kërkohet një trajtim më i thellë etik dhe simbolik që buron nga reflektimi filozofik dhe jo thjesht nga logjika juridike?

Kushtetuta si dokument teknik apo si projekt etik?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe pse është një nga më të avancuarat në rajon për nga të drejtat e garantuara, është hartuar në një kontekst politik dhe ndërkombëtar shumë kompleks. Ajo bart në vete shumë elemente teknike dhe kompromisesh që nuk kanë dalë nga një debat i gjerë filozofik kombëtar mbi drejtësinë, barazinë dhe identitetin kolektiv. Në këtë kuptim, Kushtetuta e Kosovës, duhet të jetë “ligji më filozofik”, dhe kurrsesi  e reduktuar në një instrument funksional dhe formal, pa një themel të fortë etik të përbashkët për shoqërinë.

Konteksti i Kosovës e bën shumë të nevojshëm një prani më të madhe të filozofëve, sociologëve, historianëve dhe mendimtarëve kritikë në proceset e hartimit të ligjeve. Këta aktorë mund të ofrojnë perspektiva të reja mbi drejtësinë sociale, kujtesën kolektive, identitetin politik, dhe mënyrën si ligji mund të bëhet mjet për emancipim shoqëror, jo vetëm për rregullim procedural.

Sot, kur Kosova përballet me sfida si reforma në drejtësi, ballafaqimi me të kaluarën, mirëqenia sociale dhe integrimi evropian, një qasje filozofike në hartimin e ligjeve mund të garantojë që ato të mos jenë thjesht të “ligjshme”, por edhe të “drejta”. Në këtë mënyrë, ligji bëhet jo vetëm një mjet kontrolli, por një pasqyrim i vlerave më të larta të shoqërisë.

Në zemër të kësaj hipoteze qëndron dallimi thelbësor midis asaj që “është e drejt” dhe asaj që “është ligjore”. Juristët janë zakonisht të përqendruar në interpretimin, zbatimin dhe sistematizimin e ligjeve ekzistuese. Ata punojnë brenda kornizave të vendosura dhe shpesh janë të përkushtuar ndaj procedurave, precedencave dhe formalizmit juridik. Filozofët, në anën tjetër, e shohin ligjin si një mjet për të arritur drejtësinë, duke nisur nga parime më të thella etike dhe shoqërore. Kështu, kur ligjet hartohen nga filozofët, ato kanë potencialin të jenë më të drejta, më të përfshira dhe më njerëzore, sepse burimin e kanë në reflektim kritik dhe në vizione të përgjithshme për të mirën e përbashkët.

Historikisht, disa nga ligjet më përparimtare janë frymëzuar nga mendimi filozofik. Platoni dhe Aristoteli kanë trajtuar drejtësinë si një virtyt themelor i rendit shoqëror. Në kohët moderne, filozofë si John Locke, Montesquieu dhe Rousseau kanë formësuar bazat e demokracive perëndimore me konceptet e të drejtave natyrore, ndarjes së pushteteve dhe kontratës sociale. Këto ide filozofike janë shndërruar në ligje, jo përmes interpretimeve teknike, por përmes kërkimit të asaj që është moralisht e drejtë dhe e qëndrueshme për shoqërinë.

Kur ligjet hartohen vetëm nga juristët, ekziston rreziku që ato të shërbejnë interesave të pushtetit apo të mbeten brenda një rrethi të ngushtë tekniko-normativ. Juristi mund të jetë një ekspert në ligj, por jo domosdoshmërish një mendimtar mbi drejtësinë. Në këtë kuptim, ligji mund të jetë formalisht korrekt, por moralisht i padrejtë. Për shembull, regjimet autoritare shpesh kanë pasur ligje të hartuara nga juristë profesionistë, por që kanë qenë në thelb shtypëse dhe çnjerëzore. Një filozof, ndonëse jo gjithmonë i trajnuar në teknikat juridike, ka kapacitetin të shohë përtej afatit të ligjit, duke synuar etikën dhe drejtësinë si “telos” përfundimtar.

Kjo nuk nënkupton se juristët duhet të përjashtohen nga procesi legjislativ, por se hartimi i ligjeve duhet të nisë nga reflektimi filozofik mbi natyrën e drejtësisë, barazisë, lirisë dhe përgjegjësisë shoqërore. Vetëm më pas ky reflektim mund të përkthehet në norma juridike përmes ekspertizës teknike të juristit. Përndryshe, rrezikojmë të kemi një rend ligjor të saktë në formë, të dështuar në përmbajtje, por edhe ngërçe të tjera institucionale.

Ligjet janë më korrekt kur hartohen nga filozofët, jo nga juristët / shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Share.
Exit mobile version